Rritja e çmimit të karburanteve, e ndikuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, po reflektohet edhe në tregjet e vendeve të rajonit. Pas nisjes së luftës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë filluar të rriten, duke shtuar pasigurinë në tregun global të energjisë dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e karburanteve në Ballkan.
Një nga faktorët kryesorë të shtrenjtimit të karburantit është frika për ndërprerje të furnizimit me naftë. Rreziku për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, ndër arteriet më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, ku kalon rreth 20% e furnizimit global, ka shtuar ndjeshëm tensionet në treg. Ngadalësimi i transportit në këtë ngushticë dhe pasiguritë për kompanitë e transportit dhe të tregtimit të naftës kanë ndikuar në rritjen e kostove dhe në pritshmëritë për mungesë furnizimi.
Në Kosovë, efektet e kësaj situate janë ndjerë shumë shpejt, me çmimet e karburanteve që janë rritur ndjeshëm. Çmimi i naftës në tregun me pakicë ka arritur deri në 1.60 euro për litër, nga rreth 1.20 euro sa ishte në momentin kur nisi konflikti, duke shënuar një nga rritjet më të shpejta në rajon.
Edhe në Mal të Zi çmimet e karburanteve kanë shënuar rritje. Sipas të dhënave të fundit, benzina shitet rreth 1.47 euro për litër, ndërsa nafta rreth 1.50 euro për litër.
Në Maqedoninë e Veriut raportohet vala e dytë e rritjes së çmimeve të produkteve të naftës, ku benzina shitet me 86.5 dhe 88.5 denarë për litër, ndërsa nafta me 92 denarë për litër, duke reflektuar trendin rritës të tregjeve ndërkombëtare të energjisë.
Rritja e çmimeve në rajon lidhet edhe me strukturën e tregut të energjisë në këto vende. Shumica e vendeve të Ballkanit kanë tregje të vogla dhe janë pothuajse plotësisht të varura nga importi i produkteve të naftës, pa prodhim vendas. Si pasojë, çdo luhatje në tregjet ndërkombëtare reflektohet pothuajse menjëherë në çmimet e pompës.
Analistët paralajmërojnë se, nëse tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë dhe pasiguria në tregjet e naftës mbetet e lartë, rritja e çmimeve të karburanteve mund të vazhdojë edhe në javët e ardhshme. Ky zhvillim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendeve të rajonit, duke shkaktuar një valë të re rritjeje të çmimeve në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në transport dhe në kostot e produkteve bazë.




















