Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përkatësisht Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke përcjellë me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ishte vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe me mandatin e Prokurorit te Shtetit, kjo çështje do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale.

Pesë ditë pas, janë hequr nga sheshet e kryeqytetit tabelat e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Kjo pasi që janë vërejtur pasaktësi në përmbajtjet e të dhënave të paraqitura në dy anët e sheshit.

Mëngjesin e sotëm, ekipet e kryeqytetit kanë ndërmarrë këtë aksion për largimin e tabelave të ekspozitës.

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e vendosur në sheshet e Prishtinës, mbrëmë ka ngjallur reagime të shumta, madje disa qytetarë kanë dal duke fshehur të dhënat e pasakta për viktimat në Burgun e Dubravës dhe ato në Krushën e madhe.

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka thënë se ekspozimi në sheshin e Prishtinës i materialeve me pasaktësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është i papranueshëm dhe cenon drejtpërdrejt të vërtetën historike.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka thënë se “Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”.

Për të gjitha këto reagime, organizatori i kësaj ekspozite, Shkëlzen Gashi tha se “Lista e vetme që kemi deri më tani është lista e hartuar nga organizata joqeveritare Humanitarian Law Center (HLC), e udhëhequr nga Natasha Kandiq, të cilës Kryetari i Komunës së Prishtinës ia ka dhënë çelësin e Prishtinës”.