Qeveria ka shpallur zyrtarisht hyrjen në fuqi të Bordit të Transparencës. Vendimi është firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe parashikon ngritjen e një bordi të posaçëm për monitorimin dhe ndërhyrjen në treg.

Sipas përcaktimeve, kompanitë e hidrokarbureve kanë afat deri më 24 mars për të paraqitur pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë përfaqësuesit e tyre, të cilët do të jenë pjesë e këtij bordi. Ky mekanizëm pritet të mblidhet brenda javës për të vendosur kufijtë maksimalë të çmimeve në tregun e naftës.

Ndërkohë, prej disa ditësh çmimet e naftës në tregun vendas kanë mbetur të pandryshuara, pavarësisht luhatjeve në tregjet ndërkombëtare. Aktualisht, karburantet po tregtohen në intervalin 214-217 lekë për litër, nivele që janë ruajtur që nga data 19 mars.

Në një reagim të mëparshëm, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se në rast se çmimi i karburantit tejkalon pragun prej 220 lekësh për litër, do të aplikohet një ulje prej 20% e akcizës, si masë për të lehtësuar ndikimin tek konsumatorët.