Zhvendosja e 102 kontejnerëve me mbetje të dyshuara toksike të kompanisë “Kurum” ka nisur pas më shumë se një viti qëndrimi në Porto Romano. Transporti i tyre po kryhet drejt Vrinës, pranë Shënavlashit, me urdhër të Prokurorisë dhe nën mbikëqyrjen e autoriteteve për menaxhim të sigurt dhe vijimin e procedurave ligjore.
Operacioni po shoqërohet nga Policia e Durrësit. Në lidhje me këtë çështje, Gjykata e Durrësit ka firmosur 33 urdhër-arreste për përfaqësues kompanish dhe zyrtarë, nga të cilat 20 janë ekzekutuar.
Në verën e vitit 2024, 102 kontejnerë të nisur nga Durrësi u kthyen nga Malajzia pas dyshimeve për rreth 2100 tonë mbetje të rrezikshme. Ngarkesa u depozitua në Porto Romano nën masa sigurie, ndërsa Prokuroria e Durrësit nisi hetime.
Pas më shumë se një viti, u lëshuan 33 urdhër-arreste për persona të përfshirë nga kompani dhe institucione shtetërore, prej të cilave 20 u ekzekutuan. Hetimet zbuluan se mbetjet vinin nga përpunimi i çelikut në Elbasan dhe u eksportuan drejt Malajzisë, por u kthyen pas alarmit të një organizate ndërkombëtare.
Analizat konfirmuan se bëhej fjalë për mbetje të rrezikshme me përmbajtje toksike, që rrezikojnë shëndetin dhe mjedisin. Dyshohet se dokumentet janë falsifikuar për të fshehur natyrën e tyre, ndërsa të përfshirët akuzohen për kontrabandë, ndotje mjedisi, falsifikim dhe shpërdorim detyre.




















