Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e segmentit rrugor të rrugëve lidhëse të Llogarasë, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën turistike të jugut të vendit.

Sipas të dhënave nga kantieri, punimet po avancojnë me ritme të mira, ndërsa realizimi fizik i projektit ka arritur në rreth 65%. Deri më tani është përfunduar plotësisht procesi i gërmimit dhe mbushjes për formimin e trupit të rrugës përgjatë gjithë gjatësisë prej 1.7 kilometrash.

Po ashtu, kanë përfunduar edhe punimet për ndërtimin e veprave të vogla të artit, ndërkohë që aktualisht po vijon puna për shtresat e trupit të rrugës.

Autoritetet synojnë që projekti të përfundojë përpara nisjes së sezonit veror, duke lehtësuar aksesin drejt zonës së Llogarasë dhe duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin për banorët dhe turistët.