Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një pallat pranë Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, duke vënë në lëvizje të gjitha strukturat emergjente. Në ndihmë të zjarrfikësve janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë, të cilat po mbështesin operacionin për vënien nën kontroll të flakëve.
Si pasojë e tymit të dendur, 4 persona, dy qytetarë dhe dy zjarrfikës janë paraqitur në urgjencën e QSUT-së me shenja asfiksie.
Zjarri ka përfshirë fasadën e një pallati në zonën tek “Farmacia 10”, në aksin e “5 Majit”, përballë QSUT-së. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, flakët kanë qenë aktive për disa minuta, ndërsa e gjithë zona është mbuluar nga tymi.









