Me ngrohjen e motit, dhjetëra vizitorë, vendas dhe të huaj, i janë bashkuar vlonjatëve për të shijuar rrezet e diellit dhe aromën e detit, ndërsa fëmijët kanë hequr këpucët e dimrit për të luajtur në rërën e plazhit.
Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga Vlora këtë të diel Pashke, ku qytetarët i gëzohen një dite me mot të hareshëm.
Lungomare dhe deti përballë u mbushën me njerëz ndërsa rrezet e diellit nisin të bëjnë gati qytetin për sezonin turistik për të cilin pritshmëritë janë të larta duke u nisur edhe nga investimet por edhe shifrat e muajve të parë të vitit.
Me një kalendar të ngjeshur aktivitetesh sportive por edhe artistike, Vlora mirëpret turistët vendas dhe të huaj si destinacion i cili ofron përtej turizmit detar.
E shtrirë përgjatë kryqëzimit të detit Adriatik dhe Jon, Vlora ofron jo vetëm mundësi për turizëm detar, por edhe për turizmin malor dhe atë të aventurës.
Po ashtu, pjesë e ofertës turistike janë muzetë, kulinaria, tradita e ruajtur dhe promovuar me mjaft kujdes.




















