Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, priti sot në Tiranë, ministren Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Petr Macinka, dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, Juraj Blanár, ku së bashku dhanë një deklaratë për mediat.

Në fjalën e tij, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha theksoi rëndësinë e vizitës së homologëve nga Austria, Çekia dhe Sllovakia, duke e cilësuar atë si një moment të veçantë për Shqipërinë. Ai u shpreh se prania e tyre në Tiranë pasqyron miqësinë e sinqertë që këto vende ndajnë me Shqipërinë, si dhe bashkëpunimin e fortë dhe të qëndrueshëm që është ndërtuar ndër vite. Hoxha nënvizoi se ky bashkëpunim ka qenë veçanërisht i rëndësishëm në mbështetjen e palëkundur për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë, duke shtuar se vendi ynë është mirënjohës për këtë mbështetje.

Ai vuri në dukje rolin e formatit Slavkov (S3) si një platformë konstruktive me agjendë të orientuar drejt së ardhmes, e cila ka kontribuar në forcimin e bashkëpunimit evropian dhe rajonal.