Këtë të enjte në orën 12:00 skadon afati për dorëzimin e kandidaturave që duan të bëhen pjesë e garës në zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike. Por, për Sali Berishën zgjedhjet e 23 majit duket se do të jenë pa asnjë rival.

Selia blu përmes një udhëzimi të mbajtur sekret, ka parashikuar se kandidimi i ndalohet personave të dënuar me vendim të formës së prerë, duke ngritur kështu një pengesë për Ervin Salianjin.

Pavarësisht tentativave të Berishës, ish-deputeti zotohet se do të bëjë çmos që të marrë pjesë në garë, dhe se do të denoncojë çdo shkelje që mund të ndodhë gjatë procesit.

Në një reagim për emisionin “Repolitix” me gazetarin e Report Tv Denis Minga, Salianji ka thënë: “Do depozitoj gjithçka është kërkuar, pavarësisht se është qartësisht farsë. Një dokument që publikohet vetëm disa orë pas mbylljes së afatit. Pa lista zgjedhore, pa kohë të barabartë, etj. Kjo është uzurpim përmes farsës, por qartësisht edhe frikë e Sali Berishës për t’u përballur”.

Edhe aktivistja Evi Kokalari ka reaguar pasi PD publikoi kriteret që do të duhet të përmbushin kandidatët që do të garojnë për kryetar të kësaj force politike. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kokalari ka akuzuar drejtpërdrejt Shkëlzen Berishën për këtë vendimmarrje, duke thënë se kriteret janë firmosur që në 18 mars, por qëllimisht janë bërë publike vetëm 24 orë para përfundimit të afatit për dorëzimin e kërkesës për kandidim, me qëllim lënien jashtë garës të kandidatëve të tjerë, që duan të jenë përballë Sali Berishës.

“Sidoqoftë, do ta dorëzoj kandidaturën sipas “kritereve” që keni ndryshuar ti, babai yt, Albana Vokshi — e cila nuk është zgjedhur asnjëherë me votë dhe do të penalizohet në të ardhmen për manipulimin e pastër të votave dhe bashkëpunimin me ju për marrjen peng të PD-së — si dhe Gaz Bardhi, i cili është në një pozicion shumë më të keq se Vokshi dhe nuk ka qenë pjesë e Rithemelimit që mundësoi marrjen e PD-së. Madje, së bashku me Babalën, helmuan demokratët dhe blinduan selinë për të dëmtuar misionin tonë”,- shkruan Kokalari.
Pavarësisht pengesave, dorëzimin e kërkesës për kandidim në selinë e PD-së pritet ta bëjë sot edhe Alesia Balliu.

Udhëzimi i bërë publik dje, por i firmosur më datë 18 mars, ka bërë të qartë 3 kriteret që duhet të përmbushë një kandidat i mundshëm për tu bërë pjesë e garës për zgjedhjen e kreut të ri të PD.

Përveç profilit të lartë politik e ushtrimit të funksioneve drejtuese në parti, kriteri i 3-të përjashton automatikisht nga gara të dënuarit nga gjykata me vendim të formës së prerë.