Edhe pse jemi ende në muajin prill, temperaturat e larta kanë bërë që një numër i madh turistësh, kryesisht të huaj, të frekuentojnë Gjirin e Vlorës.
Gjatë kësaj te diele, të shumta kanë qenë mjetet lundruese të mbushura me pushues të huaj, të cilët, të nxitur nga moti i ngrohtë, kanë vizituar gjiret e Karaburunit.
“Unë jam nga Holanda dhe kjo është hera ime e parë që vizitoj Shqipërinë. Po qëndrojmë këtu në këtë gadishull të bukur dhe deri tani ka qenë një përvojë e mrekullueshme. Është prill, kështu që gjithçka është e qetë dhe pa shumë zhurmë, nuk ka ende shumë turistë, gjë që e bën edhe më të veçantë. Deti është absolutisht i mrekullueshëm, me ujë të pastër dhe kristal”, tha njëra prej turisteve.
Unë jam nga Spanja. Përshëndetje, quhem Fernando. Jam nga Spanja, por aktualisht punoj në Holandë. Zgjodhëm muajin prill sepse bëmë një lloj loje: hodhëm disa letra me vende të ndryshme dhe Shqipëria ishte një nga vendet që dëshironim. Në fund, Shqipëria fitoi.
Zgjodhëm prillin sepse menduam që është një periudhë e mire, nuk është sezon i lartë, moti është i këndshëm dhe nuk ka shumë turistë. Do ta rekomandoja të vini në këtë muaj, sepse moti është shumë i mirë dhe ka më pak njerëz. Mua më pëlqen kur ka më pak turma. Dhe kaq është një vend i bukur”, u shpreh një tjetër.
“Quhem Chari, jam nga Venezuela, dhe tani jetojmë në Holandë. Zgjodhëm këtë vend sepse na duket shumë i mirë dhe klima tani në prill është perfekte, më duket një vend shumë i mirë. Njerëzit janë shumë të sjellshëm, është mjaft i pastër dhe natyra këtu më duket shumë e bukur”, deklaroi një tjetër pushuese.
Në këto ditë pranvere gjire si Gjiri i Xhapovelës, Gjiri i Shën Janit, apo Gjiri i Shën Vasilit kanë qenë të mbushur me pushues që kanë shfrytëzuar ditët me diell për t’u larë në ujërat e kristalta të Karaburunit.










