Nga Stephen S. Roach, Project Syndicate
Mes një serie gafash masive politikash të paligjshme, presidenti amerikan Donald Trump e ka kthyer vëmendjen drejt stabilizimit të marrëdhënieve me Presidentin kinez Xi Jinping në samitin e majit. Por me gjasë gjërat do të shkojnë keq, pasi Trump nuk është i aftë të kuptojë rëndësinë e strategjisë, një mësim që udhëheqësit e Kinës e kanë kuptuar prej kohësh.
Thashethemet flasin se vjet, Donald Trump e vonoi tarifën e tij të ashtuquajtur të Ditës së Çlirimit me një ditë, për ta nxjerrë më 2 prill, pasi nuk donte që “emergjenca” e tij tregtare jokushtetuese të perceptohej si gënjeshtër e 1 prillit. Këtë vit, Trump e shpërfilli kalendarin me një fjalim para kombit më 1 prill, duke proklamuar një tjetër akt jokeshtues – një luftë me Iranin e nisur pa aprovimin e Kongresit.
Të dyja lëvizjet kanë shumë të përbashkëta, pasi jo vetëm që shpërfillin ligjet, por janë si një heshtë e ngulur në zemër të rendit botëror. Vjet shoku i tarifave shenjestroi sistemin botëror të tregtisë së bazuar tek rregullat – një sistem i vendosur nga SHBA-të. Ndërkaq, shoku i sivjetshëm ushtarak shenjestron Lindjen e Mesme, që prej kohësh është një nga rajonet më të brishta të botës.
Trump i kreu këto akte të shkujdesura pa kurrfarë shqetësimi rreth pasojave që mund të sillnin. Siç pritej, të dyja po i kthehen pas furishëm. Pavarësisht tarifave “reciproke” ndaj partnerëve të supozuar abuzivë të Amerikës, deficiti tregtar i SHBA-së arriti një rekord të ri në 2025. Dhe pavarësisht gjithë mburrjes rreth shkatërrimit të fuqisë ushtarake të Iranit, raketat dhe dronët iranianë vijojnë të shkaktojnë kaos në Lindjen e Mesme, ndërsa bllokimi strategjik nga ana e tyre e Ngushticës së Hormuzit ka çuar në një nga tronditjet më të mëdha botërore të tregut të naftës.
Mes këtyre dështimeve, Trump e ka kthyer vëmendjen nga stabilizimi i marrëdhënieve dhe ndërtimi i një raporti me Kinën, konkurrenten më të egër ekonomike të Amerikës. Kjo ka nënkuptuar gjeste përulëse për ruajtur samitin e ardhshëm me Presidentin kinez Xi Jinping, të fiksuar për data 14 dhe 15 maj. Pasi e shtyu një herë takimin për shkak to ndërlikimeve nga lufta e tij e zgjedhur, Trump është kaq i dëshpëruar për të arritur një marrëveshje me “mikun e tij të mirë,” sa që së fundi i dorëzoi Kinës një trafikant droge në shenjë mirëbesimi. Të tjerë pretendojnë se kalendari i samitit është zgjatur për t’i mundësuar Trumpit një udhëtim triumphal në Pekin pasi të ketë shpallur fitoren ndaj Iranit.
Cilado qoftë arsyeja, Amerika do të jetë në disavantazh të dukshëm gjatë këtij samiti. Trumpit, shumë më tepër se sa Xi, i duhet një fitore. Udhëheqësi kinez është mëse i kënaqur të rrijë e të shohë se si homologu i tij vetëposhtërohet.
Një perspektivë më e thellë mund të gjendet në këshillën e Sun Tzu-së, filozofit-luftëtar të Kinës antike. Tek “Arti i Luftës,” ai thekson se, “kur strategjia jote është e thellë dhe me ndikim të gjerë… mund të fitosh para se lufta të ketë nisur.” Kjo padyshim vlen për Xi dhe gatishmërinë e tij për të vëzhguar më shumë se sa për t’iu kundërvënë kundërshtarit të tij. Por vlen gjithashtu edhe për Trumpin dhe mungesën e planifikimit nga ana e tij kur shpalli një emergjencë tregtare të rreme dhe një luftë të paligjshme.
Irani, nga ana e vet, e kupton rëndësinë e strategjisë. Pavarësisht se vuan humbjen e lidershipit dhe dëme serioze nga fushata e bombardimeve amerikano-izraelite, Irani ruan një avantazh strategjik me kontrollin që ushtron në Ngushticën e Hormuzit. Pyetja e vërtetë është se përse SHBA-të nuk e parashikuan diçka të tillë.
Mos shkoni më larg se sa Strategjia e Re e Sigurisë, e publikuar një vit më parë nga administrata Trump. Në dokumentin prej 29 faqesh, fjala “Iran” shfaqet vetëm tri herë. Sigurisht, fiksimi dritëshkurtër i Trump-it me taktikat e shkatërrimit mund të ketë njëfarë lidhjeje me këtë. Por përse ai nuk mendoi në mënyrë strategjike para se të vepronte impulsivisht?
Përgjigjia mund të gjendet tek theksi që Sun Tzu i jep rëndësisë së këshillave. Trump vepron mbi bazën e humorit personal. Ai preferon të rrethohet nga njerëz lajkatarë dhe jo nga ndërmjetës të sinqertë që nuk tremben t’i thonë të vërtetën pushtetit. Përqeshës ndaj ekspertëve, Trumpi ka deklaruar se lufta do të përfundoj kur “të ma ndiejnë kockat e mia.” Kur argumentonte për disiplinën dhe arsyen, Sun Tzu shkruante: “Vlerëso avantazhet në marrjen e këshillave, pastaj strukturoji forcat sipas nevojës… strategjikisht, bazuar tek ajo që të jep avantazhin.”
Por, një perosn i fokusuar tek ujditë si Donald Trump, nuk ka asnjë eshtër strategjike në trupin e tij. Ai thekson numrin e luftërave që pretendon se ka përfunduar (dhjetë sipas numërimit të tij më të fundit), të ardhurat nga tarifat dhe sasistë e ekzagjeruara të investimeve nga vendet e huaja për të rindërtuar kapacitetet e SHBA-së. Pak rëndësi ka që të gjitha këto pretendime janë fictive – tashmë ato janë rrënjosur thellë në ungjillin e MAGA-s dhe liderit të saj.
Në dallim nga Trump, Xi përfaqëson një traditë që daton nga koha e Sun Tzu-së, e cila e vlerëson strategjinë si gjënë më të lartë. Ndërsa kjo nuk funksionon gjithmonë në mënyrë të përsosur për Kinën – unë kam shqetësimet e mia rreth efikasitetit të strategjisë aktuale të riekuilibrimit ekonomik – lidershipi kinez meriton kredite të mëdha për faktin se sa shumë e vlerëson mendimin strategjik.
Samiti i majit i Xi dhe Trump po merr trajtën e një mospërputhjeje historike mes një strategjisti me vizion afatgjatë dhe një profeti të rremë që pëlqen të proklamojë sukseset e tij të supozuara. Trump, si gjithmonë, do të ndërtojë një fabul gënjeshtrash dhe deformimesh, duke theksuar edhe më tepër kontrastin mes “Artit të Marrëveshjes” dhe “Artit të Luftës.” Perspektiva e Sun Tzu-së do të këmbëngulte se “ai që ka më shumë faktorë strategjikë në anën e tij do të fitojë.”
Për dy vite me radhë, Trumpi ka bërë gafa politike masive dhe të paligjshme. Në fakt, shqetësohem qysh tani për 2027-ën. Deri atëherë, nëse sondazhet aktuale vlejnë diçka, fraksioni MAGA i Trumpit do të ketë humbur kontrollin mbi të paktën një dhomë të Kongresit dhe me shpresë, autokracia e stilit amerikan do të jetë në rënie. Por një president jopopullor, i zemëruar dhe hakmarrës do të lëpijë plagët, i vendosur që të hakmerret para zgjedhjeve të vitit 2028.
Ky është një rrezik që nuk duhet marrë lehtësisht. Do të jetë në dorë një lidershipi të ri në Kongres që të ndreqë kursin e SHBA-ve. Sun Tzu ka fjalën e fundit rreth asaj mundësie: “Lidershipi është çështje inteligjence, besueshmërie, njerëzillëku, guximi dhe vendosmërie.”










