Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ekzekutimit të çiftit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, ngjarje e ndodhur më 26 prill 2026 në fshatin Balldren.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shërbimet hetimore kanë thelluar veprimet në terren dhe kanë intensifikuar kontrollet për sigurimin e provave që do të çojnë në dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë.

Si rezultat i hetimeve dhe informacioneve të grumbulluara, në fshatin Torovicë, në një rrugë dytësore pranë një kanali, është gjetur një automjet tip “Audi A4”, i dyshuar si i përfshirë në dinamikën e krimit. Sipas policisë, automjeti dyshohet të jetë përdorur nga bashkautorët që kishin rolin e vëzhguesve të lëvizjeve të viktimave.

Gjatë këqyrjes së automjetit janë gjetur dokumente që u përkasin personave të shpallur në kërkim, çka forcon dyshimet për përfshirjen e tyre në këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Automjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike për verifikime të mëtejshme.

Ndërkohë, policia bën me dije se kontrollet vijojnë në mënyrë intensive dhe të pandërprerë për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për vijimin e hetimeve.