Udhëheqës të lartë të SHBA-së dhe Iranit ndodhen në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, për negociata me synim përfundimin e luftës gjashtëjavore mes tyre, megjithëse Teherani i vuri në pikëpyetje bisedimet duke deklaruar se ato nuk mund të nisin pa angazhime konkrete lidhur me Libanin dhe heqjen e sanksioneve.
Delegacioni amerikan, i kryesuar nga zëvendëspresidenti JD Vance dhe që përfshin të dërguarin special të presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, si dhe dhëndrin e tij Jared Kushner, mbërriti me dy avionë të forcave ajrore amerikane në një bazë ajrore në Islamabad të shtunën në mëngjes. Ata u pritën nga shefi i ushtrisë pakistaneze, Field Marshal Asim Munir, dhe ministri i Jashtëm Ishaq Dar.
Delegacioni iranian, i kryesuar nga kryetari i Parlamentit Mohammad Baqer Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araqchi, kishte mbërritur që të premten. Kryetari i parlamentit tha se Teherani ka qëllime të mira, por nuk i beson Trump.
“Ne kemi qëllime të mira, por nuk u besojmë atyre. Përvoja jonë në negociatat me amerikanët ka përfunduar gjithmonë me dështim dhe premtime të thyera”, tha Ghalibaf.
Trump ripërsëriti kundërshtimin për vendosjen e taksave në Ngushticën e Hormuzit duke kujtuar se ato janë ujëra ndërkombëtare. Më tej ai deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet “shumë shpejt”, me ose pa bashkëpunimin e Iranit.
“Nuk do të jetë e lehtë. Do të thoja këtë: Ne do të jemi në gjendje ta rihapim (ngushticën) shumë shpejt”, tha Trump duke shtuar se edhe vendet e tjera janë të gatshme të ndihmojnë.
Këto pritet të jenë bisedimet në nivelin më të lartë mes SHBA-së dhe Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe negociatat e para zyrtare ballë për ballë mes dy palëve që nga viti 2015, kur u arrit marrëveshja për programin bërthamor të Iranit. Donald Trump e anuloi këtë marrëveshje në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.
Bisedimet e planifikuara për sot, të ndërmjetësuara nga Pakistani, vijnë në mes të tensioneve të larta rajonale dhe synojnë të konsolidojnë një armëpushim të brishtë pas javësh konflikti dhe paqëndrueshmërie.
Teherani ka vendosur dy kushte ndaj SHBA-ve: Izraeli të ndalë sulmet në Liban dhe zhbllokimin e aseteve para fillimit të bisedimeve. Trump paralajmëroi se nëse negociatat dështojnë, do ta sulmojnë fuqishëm Iranin.
Ndërkohë Forbes thotë se më 9 prill, një dron MQ-4C Triton i Marinës Amerikane, një nga më të shtrenjtët në flotën amerikane, ndërsa patrullonte Ngushticën e Hormuzit, u zhduk sipas raporteve të sistemit të gjurmimit të fluturimit FlightRadar. Sipas Forbes, nuk ka konfirmim zyrtar nëse droni u rrëzua, u qëllua nga një raketë iraniane, apo nëse arriti të rikuperohej dhe të kthehej në bazë.




















