Një ditë para se të dështojë afati i Kushtetueses për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, janë tërhequr nga gara dy kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga gara për president u tërhoqën Glauk Konjufca dhe Fatmire Muhlaxha Kollcaku. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, akuzoi partitë opozitare se përmes pamundësimit të kuorumit për presidentin, synojnë që të rrëzojnë Qeverinë Kurti 3, të formuar katër muaj më parë.
Pas tërheqjes së dy kandidaturave, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e mbylli seancën e jashtëzakonshme.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, tha se partia e saj do të bëjë deri në fund përpjekje “për të shmangur zgjedhjet”.
“Deri në përfundim të afatit do të angazhohemi dhe shpresojmë që vendi të bëhet me president”, tha Nagavci duke e vlerësuar si hap drejt shmangies së zgjedhjeve tërheqjen e dy kandidaturave të LVV-së.










