Nga Mero Baze
Në gjithë këtë procesin linçues të prokurorëve ndaj Erion Veliaj për mosdhënien e dosjes dhe mosnjohjen me akuzat që ata i kanë ngritur pas kallëzimeve anonime, ka një fakt që hedh poshtë gjithë pretendimet e Olsi Dados, se Veliaj e ka krijuar vetë këtë situatë për të vonuar procesin. Dhe fakti lidhet me kallëzuesin e dytë anonim me pseudonimin Nasta Pëllumbi, në emër të një organizate po ashtu false që nuk ekziston, e vetëquajtur “Lëvizja qytetare antikorrupsion”. Letra është zbuluar vetëm dje nga avokatët e Veliaj.
Pra kemi së paku dy vite që hetohet Erion Veliaj nga dy kallëzues anonimë, për të cilët kemi arsye të plota të mendojmë që është vetë prokurori i çështjes, po të kemi parasysh që ka gjetur dhe sinonime emrash në gjininë mashkullore dhe femërore, që kanë në rrënjë emrin Nesti, për shkak të të ndjerit shumë grek, të prokurorit të çështjes.
Kallëzuesi i dytë anonim u zbulua vetëm dje nga avokati. Pra kemi dy vjet që rrekemi të gjejmë kush është Nesti Angoni, i cili po ashtu u zbulua rastësisht në gjyqin e masave paraprake nga avokati i një të akuzuari në grup me Veliaj dhe jo nga avokati i Veliaj, pasi ai as arriti të shfletonte dot 60 mijë faqet.
Për të sofistikuar rastin e parë, prokuroria hapi thashetheme me grupin e gatshëm të reporterëve që përdor për propagandë, se dosja në emrin e Nesti Angonit është 92 faqe, ka ardhur nga një vend fqinj, nënkuptonin Greqinë, është e kopsitur me fakte të forta dhe prova të padiskutueshme. Në fakt, kur u zbulua letra ishte me tre paragrafë, të sajuar sikur e ka shkruar një injorant që çdo rresht e ka gënjeshtër. Thoshte se Veliaj ka tre vila në Qerret, dhe se ia ka dhënë Gent Sula se i ka futur gruan në punë. Veliaj nuk ka asnjë vilë, dhe nuk e ka futur në punë gruan e Veliaj. Apartamentin vilë që e quajnë të babait të Ajola Xoxës, i cili jeton aty nga viti 2009 kur Veliaj ishte në opozitë, e konsiderojnë të Veliajt, aq sa mund të konsiderohet apartament apo vilë të prokurorëve çdo apartament apo vilë të vjehrrëve të tyre ku ata jetojnë.
Fakti që binjakja femër e Nesti Angonit u zbulua dje është provë e padiskutueshme, që Veliaj nuk është njohur me dosjen dhe është duke u njohur këto ditë duke zbuluar xhevahiret e manipulatorëve të dosjes.
Po qe se Nasta Pëllumbi do ishte zbuluar qysh vitin e shkuar, atëherë mund të thoshim që Veliaj e ka lexuar dosjen po bën sikur nuk e ka lexuar. Kur arrin të njohësh denoncuesin e dytë vetëm pasi ka filluar gjyqi, do të thotë që je tërësisht i panjohur me dosjen dhe me kurthin e ngritur politikisht për të të futur në burg, pa gjyq, pa prova por vetëm me manipulime mediatike me reporterët që SPAK përdor për propagandë.
Kjo do mbahet mend gjatë në drejtësinë shqiptare. Këta që bëjnë si heronj pse burgosin njerëz në shkelje të ligjit për t’u dukur të fortë, do të vijë dita që të vetmin shpjegim që do të kenë për këtë që kanë bërë do të jenë, ose “aq dinim”, ose “ashtu na thanë”. Shpjegim ligjor për këtë skandal nuk mund të ketë. Mund të ketë vetëm proces ligjor kundër tyre.
Dhe tani pasi e kanë qelbur krejtësisht procesin me fakte të sajuara, me dëshmitarë të sajuar, me OJQ të sajuara, të cilat i kanë konsideruar dhe i kanë marrë si indicie, janë hedhur në sulm ndaj Gjykatës së Lartë pse po përpiqet të unifikojë një vendim që ka të bëjë me paraburgimin, duke shpifur në mënyrë të ulët se kjo bëhet për Veliaj, Beqajn etj. Nuk di pse nuk thonë dhe për Ilir Metën e Berishën se dhe ata kanë të njëjtin problem.
E thonë pikërisht pasi duan të kapen me thonj pas maskarallëkut që kanë bërë dhe të justifikojnë daljen e mundshme të tyre në liri, me një vendim që nuk ka lidhje me ta.
Pra duan që kur ata ta fitojnë të drejtën, të mos thonë që u takonte, por se e fituan nga ky vendimi i Gjykatës së Lartë që në fakt nuk ka lidhje fare me ta. Por edhe pse nuk ka lidhje, edhe pse nuk bëhet për ta, por për të vendosur një standart të drejtësisë në vend. Gjithë ekranet e së enjtes kishin në sfond ata, Ilir Beqajn, Veliajn dhe Ballukun, për të mbuluar pisllëkun e SPAK. Dhe kjo është shenja e dytë më e fortë, që ata e dinë se çfarë kanë bërë dhe po përpiqen të relativizojnë dhe të gjejnë shpjegime jashtë ligjore për shkeljet e tyre të rënda.
Kaq do të mjaftonte për të kuptuar se pse e kanë sajuar dosjen me dëshmitarë falsë, pse nuk ia jepnin dosjen ta lexonte, pse e kanë filluar gjyqin në themel pa u njohur ai ende me dosjen dhe mbi të gjitha, pse ndjehen të trembur se do ta humbasin këtë betejë.




















