Nga Ardi Stefa
Ka një tendencë ditët e fundit për ta parë “kafazin e xhamtë” në një sallë gjyqi si mjet ndëshkimi e linçimi ndaj një të pandehuri, i cili ka mbajtur postet më të larta të shtetit. Dhe “kafazi i xhamtë” shikohet si ndëshkim i paragjykuar i një procesi që duhet të jetë i ftohtë, racional dhe i drejtë.
Gjithsesi problemi nuk është te kafazi prej xhami. Problemi është te historia që na ka sjellë deri aty.
Unë jam pro vendosjes së Ilir Metës dhe të gjithë të ngjashmëve të tij sot edhe nesër pas një kafazi të tillë në sallën e gjyqit, jo sepse dua të poshtërohet e poshtërohen, por sepse dua që për herë të parë në këtë vend të funksionojë një simbolikë që i ka munguar drejtësisë: barazia reale përpara ligjit.
Ngaqë problemi nuk është vetëm çfarë ka bërë apo nuk ka bërë Ilir Meta. Problemi është çfarë përfaqëson ai: një model politikani që ka kaluar dekada duke i mbijetuar çdo skandali, çdo akuze, çdo krize, jo për shkak të pafajësisë, por për shkak të sistemit. Një sistem që nuk e gjykonte dot, sepse ishte i ndërtuar që ta mbronte.
Për dekada me radhë, politika shqiptare ka jetuar jashtë çdo “kafazi”. Ka qenë mbi ligjin, mbi institucionet, mbi vetë logjikën e shtetit. Kishte ndërtuar një realitet ku qytetari i thjeshtë hynte në gjykatë me kokën ulur, ndërsa politikani hynte me eskortë dhe dilte me deklarata për media. Njëri gjykohet, tjetri performon.
Kafazi i xhamtë nuk është dënim. Është mesazh.
Mesazhi që më në fund, edhe ai që ka qenë në majat më të larta të pushtetit, nuk është më i paprekshëm. Nuk është më “institucion” në vetvete. Nuk është më një figurë që e përdor shtetin dhe pushtetin si mburojë personale.
Ilir Meta aktualisht është i pandehur. Deri në shpalljen e vendimit nuk quhet fajtor. Gjithsesi është i pandehur. Dhe kjo, në Shqipëri, është revolucion.
Për herë të parë, qytetari sheh diçka që nuk e ka parë kurrë: një njeri që ka qenë në majë të shtetit, i kufizuar fizikisht brenda një hapësire të kontrolluar, pa akses në skenën e zakonshme të arrogancës politike. Pa mikrofonë për të bërë viktimën, pa turmë për të bërë presion, pa luksin e transformimit të gjyqit në miting.
Kundërshtarët e kësaj ideje flasin për dinjitet. Por çfarë dinjiteti është ky që ruhet me fanatizëm vetëm për të fuqishmit? Ku ishte ky shqetësim për dinjitetin kur qytetarë të zakonshëm janë trajtuar si fajtorë pa u gjykuar ende? Apo dinjiteti është privilegj që aktivizohet vetëm kur preket politika?
Teorikisht, një i pandehur duhet të trajtohet me dinjitet maksimal dhe pa paragjykim. Në praktikën shqiptare, një i pandehur me pushtet ka përdorur gjithmonë dinjitetin si mburojë dhe paragjykimin si armë. Ai ka delegjitimuar institucionet para se ato ta gjykonin.
Prandaj kafazi i xhamtë ka një funksion tjetër, neutralizon spektaklin politik brenda sallës së gjyqit.
E zhvesh figurën nga aura. E redukton në atë që duhet të jetë: një individ përballë ligjit.
Nuk është ideale. Nuk është elegante. Nuk është standardi që do të dëshironim për një demokraci të konsoliduar. Por Shqipëria nuk është aty. Dhe të sillesh sikur është, është mashtrim.
Në një vend normal, kafazi i xhamtë do të ishte i tepërt, ngaqë ligji do të ishte mjaftueshëm i fortë për të mos pasur nevojë për simbole. Por Shqipëria nuk është ende aty.
Në Shqipëri Drejtësia nuk duhet vetëm të bëhet, por edhe të duket që po bëhet.
Dhe po, aparenca ka rëndësi. Ngaqë për vite me radhë kemi parë të kundërtën: një Drejtësi që nuk dukej askund, një pandëshkueshmëri që dukej kudo.
Vendosja e Metës pas një kafazi xhami nuk duhet parë si hakmarrje. Duhet konsideruar një akt i vonuar normaliteti. Një përpjekje për t’i thënë publikut: “Ky (dhe të ngjashmit e tij) nuk është më i paprekshëm. Ky (dhe të ngjashmit e tij) nuk përbëjnë më përjashtim.”
Kundërshtarët thonë: “Është çnjerëzore dhe jashtë standardeve!”. Por çnjerëzore është një drejtësi që për vite e vite ka qenë selektive. Çnjerëzor është një sistem ku i forti nuk prekët dhe i dobëti shtypet. Kafazi, në këtë kuptim, nuk e ul dinjitetin e Metës; ai thjesht e barazon me atë të qytetarëve që nuk kanë pasur kurrë luksin e imunitetit politik.
Dhe le të jemi të sinqertë: Në Shqipëri ku edhe thirrja në prokurori është trajtuar si heroizëm, çdo formë disipline ndaj pushtetit duket si ekstrem. Jemi mësuar aq shumë me pandëshkueshmërinë, sa çdo shenjë e kundërt na duket e tepruar.
Nëse kjo na duket e rëndë, ndoshta problemi nuk është te kafazi. Ndoshta problemi është se jemi mësuar shumë gjatë me mungesën e tij.










