Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi këtë të martë një takim në Bruksel me Ministrin Francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, ku në fokus ishte procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, situata në Ballkanin Perëndimor dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës “nuk kanë qenë kurrë më të pasura, më të forta dhe më premtuese”, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Parisit për integrimin evropian të Shqipërisë.
Ministri shqiptar falënderoi Francën për qëndrimin e saj në favor të një Evrope “më të zgjeruar, më të bashkuar dhe më të fortë”, ndërsa nënvizoi edhe angazhimin personal të ministrit Haddad në mbështetje të rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas Hoxhës, partneriteti mes dy vendeve po konkretizohet përmes projekteve në fusha strategjike, si inovacioni, energjia e gjelbër, mbrojtja, arsimi, komunikimi strategjik dhe shkëmbimet kulturore.
“Ne riafirmuam angazhimin e përbashkët për të thelluar më tej këtë partneritet të veçantë dhe për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve tona”, shkroi Hoxha.
Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve të vazhdueshme mes Shqipërisë dhe Francës për çështjet evropiane dhe sfidat rajonale.










