Pas inspektimit të punimeve në “Lungomare 4” mëngjesin e kësaj të hëne, 13 prill, kryeministri Edi Rama ka mbërritur në ambientet e Pallatit të Kulturës në Vlorë, ku po vijon takimet e planifikuara në këtë qytet.

Ai po zhvillon një takim me Asamblenë e Partisë Socialiste të Vlorës, në kuadër të turit të takimeve dhe diskutimeve me strukturat vendore të partisë.

Më herët, Rama inspektoi punimet e projektit “Lungomare 4” pranë Plazhit të Vjetër.

Gjatë kësaj vizite, Rama shoqërohej nga kryetarja e bashkisë Brunilda Mersini dhe përfaqësues të tjetër të pushtetit lokal, si dhe inxhinierë të projektit.

Në prezantimin e detajeve të projektit, drejtori i Përgjithshëm i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, i cili gjithashtu ishte i pranishëm, shpjegoi se “Lungomare 4” është vazhdimi i shëtitores ekzistuese në krahun perëndimor, me një gjatësi fillestare prej rreth 500 metrash linear.

Projekti parashikon ndërtimin e një promenade me gjerësi rreth 7 metra, si dhe një piste biçikletash prej 2 metrash, duke krijuar një hapësirë funksionale dhe të integruar për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave.

Ai tha se punimet nëntokësore janë drejt përfundimit, përfshirë betonimin dhe sistemet e vaditjes, ndërsa ndriçimi publik do të realizohet në fazën përmbyllëse. Synimi është që kjo pjesë e shëtitores të përfundojë brenda mesit të muajit maj, në mënyrë që të jetë e gatshme për sezonin turistik dhe në funksion të plotë për qytetarët dhe vizitorët.