Kryeministri Edi Rama tha se priste që brenda vitit, Shqipëria dhe Greqia do të konfirmonin përmes një dokumenti të ri të Partneritetit Strategjik, bashkëpunimin mes dy vendeve tona në shumë fusha kyçe.

Komentet Rama i ka bërë teksa ka folur ditën e sotme në podkastin e tij ‘Flasim’ për vizitën e tij në Greqi, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit, si dhe u prit në takim nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Rama shprehu besim se bashkë me Mitsotakis do të arrijnë të adresojnë siç duhet çështjet e mbartura mes dy vendeve, teksa shtoi se Greqia vijon të mbetet një mbështetje e fortë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.