Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit me armë zjarri të ndodhur në një hotel në Uashington, gjatë një darke me gazetarët, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti Donald Trump.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Rama ka shkruar se një sulm i tillë godet lirinë dhe mënyrën demokratike të jetesës.
Më tej kryeministri shkroi se ndihej i lehtësuar që Presidenti i SHBA-së dhe të gjithë të pranishmit në darkën me gazetarë, ishin shëndoshë e mirë.
“Shqetësuese të marr lajmin për sulmin e dhunshëm të një personi të armatosur në një hotel në Uashington, DC, gjatë një eventi presidencial me gazetarë. Një sulm si ky godet lirinë dhe mënyrën tonë demokratike të jetesës kudo. E dënoj me forcë. Ndihem i lehtësuar që POTUS dhe të gjithë të pranishmit janë shëndoshë e mirë”, ka shkruar Rama në rrjetin social ‘X’.









