Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë me dije këtë të martë rezultatet e analizave të kryera në kuadër të hetimeve për rastin e helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk.
Sipas njoftimit zyrtar, AKU ka zhvilluar procedurën e marrjes së mostrave për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës në ambientet e kuzhinës së Akademisë së Sigurisë në Sauk, si dhe në kuzhinën e Garnizonit të Forcave të Armatosura.
Pas analizimit të mostrave pranë laboratorit të Referencës ISUV, rezultatet kanë dalë brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.
Referuar raporteve të analizave, AKU ka vijuar me procedurat e inspektimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë në Sauk dhe në Garnizonin e Forcave të Armatosura në Tiranë.
Në përfundim të procedurës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “SORI-AL”, ndërsa i ka lënë detyrë që të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm në ambientet e Garnizonit të Forcave të Armatosura, në përputhje me legjislacionin në fuqi.










