Nga Ruel Domi
Aktualiteti politik në Shqipëri nuk është pa ndodhi. Në njërën anë, SPAK ka kohë që godet lart në shkallaren e pushtetit ekzekutiv. Përpara 11 Majit të 2025-s, Veliaj dhe Ahmetaj u bënë koka turku, e megjithatë në 11 Maj Rama fitoi thellë dhe pa probleme. Siç edhe pritej.
Rama dukej i paprekshëm e i pamposhtur, deri në kërkesën për heqjen e imunitetit të zonjës Balluku që sinjalizoi ekzekutimin e një mase të munguar sigurie nga ana e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion. Sigurisht që kjo masë sigurie nuk u ekzekutua, duke ditur që mazhoranca e zotit Rama e bllokoi heqjen e imunitetit për zonjën Balluku.
Për të mos folur pastaj për dosjet e SPAK mbi keqmenaxhimin e parave publike në institucione si AKSHI, afera që kanë ulur popullaritetin e qeverisë Rama tek votuesi shqiptar, si dhe kanë gërryer kredibilitetin e qeverisë shqiptare tek institucionet e integrimit evropian. Raporti i IBAR për Shqipërinë është tregues i kësaj të fundit.
Graviteti politik e do që kur qeverisja humbet kredibilitetin, opozita duhet të ngrihet. Kjo në Shqipëri nuk ka ndodhur për dy arsye. Së pari, sepse Sali Berisha është figurë e urryer nga shqiptarët e që rrjedhimisht nuk e sjell dot PD në pushtet. Së dyti, sepse publiku shqiptar, për arsye të konservatorimit të mykur apo mosbesimit tipik mesdhetar, nuk beson tek partitë e reja, dhe me gjasë tek asnjë parti e re.
Në këto kushte, qeverisja është e korruptuar gjer në palcë, por opozitë kompetitive nuk ka gjëkundi. Kësisoj, brenda të dyja kampeve kanë nisur insurgjencat politike.
Në Partinë Socialiste, Elisa Spiropali, tani më e zhveshur nga çdo funksion politik në PS, ka hapur një front lufte ndaj zonjës Balluku dhe zotit Rama. Ndërkohë, Erion Braçe kërkon që në kundërshti me direktivat e partisë, të kandidohet për Bashkinë e Tiranës.
Në PS, ujërat janë trazuar, aq sa pas shumë muajsh embargoje mediatike, Rama ka nxjerrë deputetë e funksionarë të rinj në debate televizive. Mund të thuhet me plot gojën që në PS kanë nisur insurgjenca politike nga brenda. Qartazi Rama është i shqetësuar.
Në Partinë Demokratike, Ervin Salianji i sapo dalë nga burgu, ka nisur turin e takimeve për “marrjen e kalasë nga brenda”. Në ndryshim nga kontestantët e tjerë që përballë doktorit fshehin kokën si struci, Salianji ka treguar të paktën burrërinë politike për t’i thënë të bardhës të bardhë e të zezës të zezë.
E bardha dhe e zeza në këtë rast janë faktet e gjithëditura dhe që e nxjerrin Berishën dhe shpurën e tij si shitës të kauzave opozitare e si klikë autokratike në një parti që, pavarësisht emrit, vetëm demokratike nuk është.
Në kushtet kur partitë e reja nuk sollën dot qarkullimin e elitave politike në Shqipëri, kanë nisur rebelimet ose insurgjencat e brendshme politike. Me gjasë ndërkombëtarët kanë rol. Jo për të thënë që iniciatorët e këtyre insurgjencave janë të fisnikë politikë, por me gjasë, ndryshimi i kastës politike shqiptare do të vijë nga këto insurgjenca. A vjen dhe data e skadencës së tranzicionit politik shqiptar njëherazi me skadencën e kastës aktuale politike, kjo mbetet për t’u parë.










