Tiranë – Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka reaguar këtë të hënë pas publikimit në mediat online të një videoje që, sipas institucionit, shfaq një rast të papranueshëm të cenimit të etikës profesionale në një prej shërbimeve mjekësore.

Në njoftimin zyrtar, QSUT bën me dije se menjëherë pas verifikimeve të kryera, është identifikuar punonjësja e përfshirë në ngjarje dhe janë nisur procedurat për marrjen e masave administrative dhe disiplinore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

QSUT thekson gjithashtu se mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar një kujdes shëndetësor dinjitoz, profesional dhe etik për çdo pacient që paraqitet në shërbimet e saj.

“Çdo shkelje e kodit të etikës, çdo sjellje që cenon dinjitetin e pacientit apo besimin ndaj shërbimit shëndetësor, është dhe do të mbetet e patolerueshme,” thuhet në reagimin e institucionit.