Emri i Ralf Rangnick rikthehet sërish në qendër të diskutimeve te Milani, gjashtë vite pasi tekniku gjerman ishte shumë pranë marrjes së drejtimit të klubit kuqezi.

Sipas raportimeve të medias italiane “La Gazzetta dello Sport”, drejtuesit e Milanit po e konsiderojnë edhe një herë Rangnick si një alternativë për pankinën e skuadrës, këtë herë me një rol më të zgjeruar si trajner-menaxher, që do t’i jepte atij ndikim edhe në strategjinë e merkatos.

Rangnick ishte pranë kalimit te Milani në vitin 2020, në një operacion të mbështetur fort nga ish-drejtuesi Ivan Gazidis. Megjithatë, ideja hasi në kundërshtimin e figurave të rëndësishme të klubit si Zvonimir Boban dhe Paolo Maldini, ndërsa drejtuesit vendosën të vazhdonin projektin me Stefano Piolin.

Vendimi rezultoi pozitiv në atë periudhë, pasi Pioli arriti ta rikthente Milanin në majat e futbollit italian dhe të fitonte titullin kampion në Serie A.

Tashmë, me ndryshimet e mundshme në strukturën sportive të klubit, emri i trajnerit aktual të Austrisë po rikthehet në modë në ambientin kuqezi. Rangnick njihet për filozofinë e tij moderne të futbollit, zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe rolin aktiv në ndërtimin e skuadrave, çka mund të përputhet me projektin afatgjatë të Milanit.

Për momentin nuk ka negociata zyrtare, por mediat italiane raportojnë se profili i gjermanit vazhdon të vlerësohet seriozisht nga drejtuesit e klubit italian.