Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim të veçantë në kuadër të Europa Forum Wachau në Austri me Kancelarin austriak, Christian Stocker, si dhe ish- Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Lamallari shkruan në rrjetet sociale, se gjatë takimit ka marrë një mesazh të qartë mbështetjeje për rrugën europiane të Shqipërisë dhe për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të vendit në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.

“Një takim krejt i veçantë në Europa Forum Wachau ishte ai me Kancelarin e Austrisë, Christian Stocker dhe ish Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Mora prej tyre një mesazh të qartë mbështetjeje për rrugën europiane të Shqipërisë dhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të vendit tonë në arkitekturën e sigurisë euroatlantike”, shkruan Lamallari.

Ministri i Punëve të Brendshme thekson gjithashtu, se progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian po njihet dhe vlerësohet gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë.

“Shqipëria ka dëshmuar në vijimësi se është një aleate e denjë në NATO dhe një vend që meriton anëtarësimin në Bashkimin Europian, falë reformave, stabilitetit dhe angazhimit të palëkundur për vlerat perëndimore. Progresi që ne kemi bërë në rrugën e integrimit, reformat, forcimi i institucioneve dhe roli konstruktiv si faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon, njihet dhe vlerësohet gjerësisht në të gjitha kancelaritë europiane”, përfundon ministri Lamallari.

Takimi u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Europa Forum Wachau, një nga forumet më të rëndësishme të diskutimeve politike dhe strategjike në Europë.