Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë, këtë të premte, 15 maj, ku është pritur në një takim dypalësh nga kryeministri Albin Kurti.

Gjatë kësaj vizite, në një deklaratë për mediat Kos konfirmoi gatishmërinë e BE-së për të intensifikuar bashkëpunimin, duke vënë theksin te rëndësia e funksionalitetit të institucioneve dhe vijimi i reformave të nisura. Ajo bëri të ditur se lëvrimi i fondeve europiane, të cilat janë jetike për qeverinë dhe popullin e Kosovës, do të jetë i lidhur ngushtë me progresin e këtyre reformave.

“Ne në BE mezi presim që të intensifikojmë nivelin e punës me ju, prandaj dhe funksionaliteti i institucioneve është shumë me rëndësi. Qytetarët në Kosovë kanë deklaruar optimizëm për anëtarësimin në BE. Nuk është me rëndësi vetëm për shtetin tuaj, por edhe për të gjithë BE-në. Edhe masat që janë bërë në veri dhe ne do të çojmë përpara reformat. Fondet do të lirohen dhe do të jepen nëse do të shkojnë përpara reformat. Fondet janë themelore jo vetëm për qeverinë, por edhe për popullin e Kosovës”, tha Kos.

Megjithëse nuk dha një datë konkrete për anëtarësimin, komisionerja vlerësoi hapat e deritanishëm të Prishtinës dhe theksoi se suksesi në dialogun me Serbinë do të rrisë shanset për nisjen e negociatave. Në përmbyllje, Kos garantoi angazhimin e saj maksimal për ta afruar sa më shumë Kosovën me familjen europiane, duke vlerësuar edhe optimizmin e lartë të vetë qytetarëve kosovarë për këtë proces.

“Kosova të vijojë dialogun me Serbinë. Kosova ka bërë shumë në reformat e fundit dhe do vazhdojë të bëjë. Jam shumë e kënaqur që mora vlerësimet më të larta nga kryeministri për rrugën e Kosovës drejt BE. Anëtarësimin ën BE nuk e masim me data, por me atë që është e rëndësishme. Sa më e suksesshme të jetë dialogu Prishtinë-Beograd aq më të larta do të jetë shanset që ne të nisim negociatat. Apeli im është që të angazhohet, nuk mund të jap një datë, por ju garantoj se do të punoj pa u lodhur që të afroj sa më shumë Kosovën me Bashkimin Europian”, shtoi komisionerja.

Kujtojmë se në prill, Kos theksoi se Kosova duhet të vazhdojë reformat për të përfituar nga Plani i Rritjes.

Paketa e BE-së për Ballkanin Perëndimor 2024-2027 kap vlerën 6 miliardë euro, nga të cilat Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro (253 milionë grante dhe 629 milionë kredi). Në prill, Kosova mori 61.8 milionë euro si parafinancim pas plotësimit të kushteve të kërkuara.

Kos gjithashtu ka deklaruar se ka zhvillime “inkurajuese” në raport me pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.