Në Tiranë u zhvillua ‘Mëngjesi i Lutjeve i Europës Juglindore’, me moton “Faith and Liberty”, e organizuar nga një grup deputetësh, të drejtuar nga Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Takimin e përshëndetën Kryetari i Kongresit të SHBA-së Mike Johnson, Senatori Amerikan James Lankford, Kryetari i Grupit për Shqipërinë në Kongresin Amerikan, Kongresmeni Robert Aderholt, dhe Kryetari i Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve në SHBA, Kongresmeni Ben Cline.

Në aktivitet morën pjesë personalitete të njohura nga SHBA, Europa dhe rajoni, mes tyre ish-Kongresmeni amerikan dhe këshilltari i Zëvendës Presidentit amerikan JD Vance për veprimin konservator, Bob McEwen, ish-këshilltarja e Presidentit George W. Bush, Mary Katherine Andrews, Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së. eurodeputetja Dolors Montserrat, Zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Eugenio Zoffili,përfaqësues të Institutit Republikan Amerikan, deputetë nga vendet e rajonit si edhe të Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë aktivitetit, i cili u drejtua nga Arben Malaj dhe Fatmir Mediu, u nënvizua se popujt e Europës Juglindore e njohin mirë çmimin e humbjes së lirisë, pasi kanë kaluar përmes ndarjeve, konflikteve dhe pasigurisë. Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte se besimi i jep njeriut forcën për të përballuar sfidat, ndërsa liria i jep dinjitetin për të jetuar.

Liritë, të drejtat janë të dhëna nga Zoti dhe jo nga qeveria. Qeveria nuk është Zot i jetës sonë por duhet të garantojë, të drejtat dhe liritë dhe ndërtimin e të ardhmes e mirëqenies në Shqipëri.

Në një kohë kur Europa dhe bota përballen me luftëra, polarizim dhe krizë besimi, u theksua nevoja për përgjegjësi morale, solidaritet dhe bashkëpunim mes kombeve. Duke cituar Nënë Terezën – “Nëse nuk kemi paqe, është sepse kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit”- pjesëmarrësit bënë thirrje që Ballkani të mos mbetet peng i historisë, por të ndërtojë një të ardhme të bazuar mbi vlera demokratike, shpresë dhe liri me përgjegjësi.