Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u prit sot nga zv.kryeministri italian, Antonio Tajani.

Në një postim në X ministri Hoxha shprehu se Italia ka qenë dhe është një nga mbështetëset më të forta të të ardhmes evropianë të Shqipërisë.

Postimi i plotë i ministrit Ferit Hoxha:

Ishte një kënaqësi e veçantë të zhvilloja takimin tim të parë zyrtar në Romë, në Palazzo della Farnesina, me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

Rikonfirmuam partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë, të bazuar në lidhje të thella historike, në miqësinë e ngushtë mes popujve tanë dhe në një vizion strategjik të përbashkët për të ardhmen. Pak partneritete janë kaq të thella dhe kaq mirë të strukturuara sa partneriteti ynë!

Bisedimet tona konfirmuan nivelin e lartë të bashkëpunimit në një gamë të gjerë fushash, përfshirë dialogun politik, integrimin evropian, sigurinë, mbrojtjen, migracionin, lidhshmërinë, energjinë, ekonominë, turizmin, kulturën dhe lidhjet mes njerëzve. Italia mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe një investitor strategjik në sektorët prioritarë.