Një dron rus, i përdorur në sulmet ajrore gjatë natës ndaj Ukrainës, u rrëzua mbi një ndërtesë banimi në qytetin rumun të Galatit duke shkaktuar dy të plagosur lehtë, duke detyruar evakuimin e disa banorëve, e mbi të gjitha duke ngjallur frikë nga goditja e një vendi anëtar të NATO-s.

Ministria rumune e Mbrojtjes nxitoi të pohonte se droni ishte monitoruar nga radarët teksa lëvizte në hapësirën ajrore të Rumanisë, përpara se të përplasej në çatinë e ndërtesës, që u përfshi nga zjarri ndërsa në vendngjarje mbërritën me urgjencë policia dhe ekipet e ndihmës së shpejtë.

Si reagim ndaj incidentit, ushtria rumune ngriti në ajër dy avionë luftarakë F-16 dhe një helikopter, të autorizuar për të ndërhyrë ndaj objektivave të dyshimta. Banorët në zonat e rrezikuara morën gjithashtu mesazhe paralajmëruese.

Galati ndodhet pranë lumit Danub, në afërsi të kufirit lindor me Moldavinë dhe Ukrainën. Ngjarja vjen në një periudhë kur Rusia ka intensifikuar përdorimin e raketave balistike me rreze të gjatë dhe dronëve për sulme ndaj infrastrukturës energjetike dhe qyteteve ukrainase.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi në Këshillin e Sigurimit se intensifikimi i sulmeve mund të sjellë pasoja të paparashikueshme dhe të rrezikshme. Ai kërkoi më shumë diplomaci, ulje të menjëhershme të tensioneve dhe një armëpushim të plotë e pa kushte.

Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas e përshkroi incidentin e dronit si “shkelje të qartë dhe serioze” të sovranitetit të Rumanisë dhe të hapësirës ajrore europiane. Ajo menjëherë zhvilloi një bisedë me ministren e Jashtme rumune, Oana Toiu, për të shprehur “solidaritetin e plotë të Bashkimit Europian me Rumaninë”. Për shefen e KE-së, Ursula Von der Leyen me këtë që ndodhi, Rusia shkeli një tjetër vijë të kuqe.

“Po përgatisim paketën e 21-të të sanksioneve ndaj saj”, shkroi Von der Leyen në rrjetet sociale, dhe nenvizoi se “blloku po forcon sigurinë me masat parandaluese, veçanërisht në kufirin tonë lindor”. NATO nga ana e saj dënoi atë që e cilësoi si “papërgjegjshmëri të Moskës.

Zëdhënësja Allison Hart, deklaroi në rrjetet sociale se “aleanca do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen tonë kundër të gjitha kërcënimeve, përfshirë dronët” dhe se sekretari i përgjithshëm i Mark Rutte, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune lidhur me incidentin.

Rumania ka thirrur për sqarime ambasadorin rus, ndërsa presidenti Nicusor Dan kërkoi mbledhjen e Këshillit Suprem të Mbrojtjes, edhe pse autoritetet vendase insistojnë se situata aktualisht është nën kontroll.