Çmimi i karburanteve në vend ka pësuar një tjetër ndryshim këtë të enjte, me Bordin e Transparencës që ka vendosur ulje të lehtë për gazoilin në tregun me pakicë.

Sipas vendimit të datës 28 maj 2026, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën e standardit SSH EN 590 është caktuar në 187 lekë për litër, duke shënuar një rënie nga 190 lekë/litër që ishte një ditë më parë.
Ndërkohë, në tregun me shumicë, nafta është vendosur të tregtohet jo më shumë se 175 lekë/litër.

Edhe benzina ka pësuar ndryshime në çmim, ku shitja me pakicë është fiksuar në 174 lekë/litër, ndërsa me shumicë në 162 lekë/litër.

Vendimi hyn në fuqi sot në orën 14:00 dhe do të jetë i vlefshëm deri në mbledhjen e radhës së Bordit të Transparencës, i cili pritet të rishikojë sërish çmimet në varësi të lëvizjeve të tregjeve ndërkombëtare të energjisë.
Autoritetet kanë paralajmëruar zbatim të rreptë të vendimit nga të gjithë operatorët e tregut të karburanteve, duke theksuar se shkeljet do të shoqërohen me masa administrative, përfshirë edhe pezullimin e aktivitetit.
Në njoftim sqarohet gjithashtu se çmimet aktuale mbeten nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1 i vitit 2026, ndaj akciza vijon të aplikohet në nivelin e plotë prej 100%.

Institucionet përgjegjëse përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklarojnë se mbeten të angazhuara për të garantuar stabilitet në treg dhe mbrojtje të konsumatorëve shqiptarë.