Partia Demokratike ka depozituar disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit që kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e seancave parlamentare, pezullimin e vendimeve për përjashtimin e deputetëve derisa të shprehet Byroja si dhe rritjen e stafit mbështetës.
Konkretisht, demokratët kërkojnë që në rast të ankimit të një deputeti për vendimet e sekretariatit të Kuvendit, pezullimi i tij “ngrin” deri sa të shprehet Byroja.
“Me paraqitjen e ankimit, urdhri i drejtuesit të seancës plenare/ komisionit dhe/ ose vendimi i Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën pezullohet deri në dhënien e vendimit nga Byroja e Kuvendit”, thuhet në amendamentin e PD-së.
Demokratët propozojnë gjithashtu që institucionet shtetërore të jenë të detyruar t’u kthejnë përgjigje deputetëve brenda 15 ditëve dhe nëse kjo nuk ndodh, ndërhyn kryetari i Kuvendit.
Sipas PD-së, seancat duhet të zgjasin deri në orën 22:00 dhe nëse ka ende çështje të pashqyrtuara, punimet të rifillojnë ditën pasardhëse.
“Në rast të zgjatjes së seancës plenare përtej orës 22:00, me kërkesë të kryetarit të një grupi parlamentar, seanca plenare ndërpritet dhe rifillon ditën pasardhëse në orën 10:00”, thuhet në amendamentet e PD.








