Në majin e vitit 2007, në Partinë Socialiste u eksperimentua për herë të parë parimi “një anëtar, një votë” për zgjedhjen e kryetarit të partisë. Dukej si një hap drejt demokratizimit të brendshëm, një përpjekje për ta nxjerrë politikën shqiptare nga hijet e vendimmarrjeve të mbyllura. Por në të vërtetë rezultoi krejt e kundërta.
Edi Rama, që prej dy vitesh drejtonte PS-në, ende nuk e kishte konsoliduar plotësisht pushtetin mbi strukturat e partisë. Megjithatë, kishte fituar mjaftueshëm pushtet sa të nxiste kundërshtarët të tërhiqeshin nga gara. Shkëlqim Meta, një figurë e njohur për garat e mëparshme formale, do të ishte sfidanti i Ramës në garën për kryetar të PS-së. Rezultati ishte 97% në favor të Ramës. Katër vite më vonë, një tjetër emër, Maqo Lakrori, arriti të marrë rreth 6% të votave. Një përqindje modeste, por që në vetvete dëshmonte se dinamika e garës mbetej e kufizuar dhe e paracaktuar. Që prej asaj kohe, zgjedhjet reale brenda Partisë Socialiste janë zhdukur nga horizonti politik.
Në krahun tjetër, Partia Demokratike, pas dorëheqjes së Sali Berishës në vitin 2013, pati një garë mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës. Dukej se u krijua iluzioni i një përplasjeje reale idesh dhe alternativash, por mbështetja e Berishës për Bashën përcaktoi rezultatin. Më pas Eduard Selami dhe Agron Shehaj, figura që pavarësisht kufizimeve, tentuan të krijonin një model më pluralist brenda partisë, edhe pse elementët e garës ishin plotësisht të kompromentuar.
Por sot, tabloja e zgjedhjeve brenda PD-së është transformuar në komedi. Sfidantja e vetme ndaj Berishës është Merjeme Sela, një personazh që shfaqet qesharak deri te deklarata se e kishte fshehur kandidimin “nga frika se do më merrnin mësysh”.
Në vetëm 24 orë të lëna në dispozicion për të zyrtarizuar kandidaturën, janë skualifikuar kandidatët Alesia Balliu, Ervin Salianji dhe Evi Kokalari, ndërsa Mejremja i kaloi filtrat. Nuk është qesharake vetëm kandidatja por i gjithë procesi i zgjedhjeve në PD. Në të vërtetë është një situatë dramatike për PD-në dhe demokracinë në Shqipëri. Problemi nuk është më thjesht i një partie apo i një lidershipi, por një krizë sistemike. Kur partitë që synojnë të qeverisin vendin nuk arrijnë të ndërtojnë demokraci brenda vetes, atëherë zgjedhjet e lira dhe të ndershme mbeten një aspiratë e largët. Ndërsa qeverisja, në vend që të jetë produkt i konkurrencës dhe meritës, kthehet në një realitet të pranuar ku korrupsioni dhe mungesa e llogaridhënies bëhen normë. Termat sjellin një histori të shkurtër zgjedhjesh brenda PS-së dhe PD-së në 20 vitet e fundit.
Partia Socialiste
Viti 2007, zgjedhje në PS sipas parimit “një anëtar, një votë”
Kandidatë: Edi Rama vs Shkëlqim Meta
Rezultati:
Edi Rama 97%
Shkëlqim Meta 3%
Koment: proces pa garë reale (kandidatët tërhiqen)
Viti 2009, zgjedhje në PS sipas parimit “një anëtar, një votë”
Kandidatë: Edi Rama vs Maqo Lakrori
Edi Rama: mbi 93%
Maqo Lakrori: rreth 6.7%
Pas 2009 nuk ka më zgjedhje me votë të anëtarësisë për kryetar.
Partia Demokratike
Viti 2013, zgjedhje sipas parimit “një anëtar, një votë” në PD
Kandidatë: Lulzim Basha vs Sokol Olldashi
Rezultati:
Lulzim Basha: 80%
Sokol Olldashi: 19%
Viti 2017, zgjedhje sipas parimit “një anëtar, një votë” në PD
Kandidatë: Lulzim Basha vs Eduard Selami
Lulzim Basha: 91.13%
Eduard Selami: 8.87%
Viti 2021, zgjedhje sipas parimit “një anëtar, një votë” në PD
Kandidatë:
Lulzim Basha: 81.9%
Agron Shehaj: 12.9%
(pjesa tjetër u nda mes Fatbardh Kadillit dhe Edith Harxhit)










