Policia e Shtetit ka paralajmëruar masa të forta parandaluese dhe ndëshkuese për përballimin e situatës së zjarreve gjatë sezonit veror. Gjatë aktivitetit për “Prezantimin e masave për përballimin e situatës së zjarreve, rritjen e gatishmërisë së strukturave shtetërore dhe koordinimin në terren për çdo emergjencë”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, theksoi rëndësinë e reagimit në kohë dhe bashkëpunimit institucional.

Në fjalën e tij, Hita vlerësoi punën e shërbimeve zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencës, duke theksuar se çdo situatë rreziku kërkon koordinim maksimal mes institucioneve.

“Çdo sekondë është e vlefshme ndaj reagimi në kohë, është çelësi i parandalimit dhe neutralizimit të zjarrit, dhe garancia për të shpëtuar jetët në rrezik”, deklaroi ai.

Kreu i Policisë së Shtetit u shpreh se ngjarjet e fundit kanë treguar rëndësinë e bashkëpunimit mes Policisë, zjarrfikësve, Emergjencave Civile dhe pushtetit vendor për evakuimin në kohë të banorëve dhe minimizimin e dëmeve.

Hita bëri me dije se Policia e Shtetit ka nisur më herët masat parandaluese për sezonin veror, duke kontaktuar administratorët e njësive administrative dhe blegtorët që përdorin territore kullotash.

“Së shpejti do t’u dërgohet njoftim të gjithë blegtorëve për territorin që kanë marrë në përdorim, se në rast se bie zjarr, ata janë përgjegjës për atë territor”, tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë paralajmëroi gjithashtu ndëshkim për të gjithë personat që shkaktojnë zjarr, qoftë me dashje apo nga pakujdesia.

“Jemi të vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia, shkaktojnë zjarr duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve”, u shpreh Hita.

Në përfundim, ai falënderoi efektivët zjarrfikës dhe punonjësit e Policisë së Shtetit për përkushtimin dhe sakrificën në përballjen me emergjencat.