“Kush thotë hajde këtu më ke, më vrit, e thotë ngaqë të do”.

Kështu shprehet kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste në kuadër të 35-vjetorit të Koha Jonë, teksa komentoi edhe raportin e tij me ish-ministren Elisa Spiropali.

Duke iu referuar deklaratës së Spiropalit, e cila pati thënë “më përjashto”, Rama u shpreh se çdo njeri mund të gabojë dhe se kontributet duhen vlerësuar.

“Çdo njeri mund të gabojë. Kush ka dhënë kontribute, edhe gabon. Hera parë, hera dytë, te e treta ndahet. Ajo që bën diferencën është nëse shkelet apo jo vija e kuqe”, tha Rama.

Kreu i qeverisë e cilësoi situatën si pjesë të normaleve të jetës politike, për aq kohë sa nuk tejkalohen kufijtë që ai i konsideron të papranueshëm.

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, pati dalë me një deklaratë të fortë publike ndaj mënyrës së funksionimit të selisë rozë.

“Më përjashto”, shprehet ajo në pikënisje të reagimit, duke theksuar se nëse kritika konsiderohet arsye për ndëshkim, atëherë problemi është vetë sistemi.

“Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi”, deklaron Spiropali.

Ajo sqaron se nuk po sulmon partinë, por modelin e funksionimit të saj.

“Nuk kam sulmuar Partinë Socialiste. Kam kritikuar modelin që në disa aspekte po e dëmton atë”, shtoi ish-ministrja.

Deputetja nënvizon se thelbi i debatit lidhet me të drejtën për të folur dhe për të kundërshtuar: “Pyetja nuk është pse flas unë. Pyetja është pse këto gjëra nuk lejohen të thuhen.”

Në deklaratën e saj, ajo paralajmëron për një problem më të thellë politik.

“Nëse kritika trajtohet si devijim… kemi krizë kulture politike”, vijon ligjvënësja.

Spiropali thekson se mungesa e vetëkorrigjimit e dobëson pushtetin.

“Pushteti nuk dobësohet nga kritika. Dobësohet kur humb aftësinë për vetëkorrigjim”, ravijëzon deputetja socialiste.

Në fund, ajo mbron mospajtimin si vlerë politike: “Mospajtimi nuk është thyerje e besnikërisë. Është forma më e lartë e besnikërisë.”