Në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut “Nëna Shqipëri” u zhvillua ceremonia e rivarrimit të Dëshmorit të Atdheut, Novruz Cenalia, ku morën pjesë drejtues të lartë të shtetit, familjarë, kolegë dhe qytetarë.
Gjatë ceremonisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, mbajti një fjalim prekës, duke vlerësuar sakrificën e efektivit që humbi jetën në krye të detyrës.
“Novruzi ra në krye të detyrës jo se ishte i pambrojtur, por se zgjodhi të ishte barriera mes qytetarëve dhe krimit”, u shpreh Hita gjatë ceremonisë.
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, gjatë ceremonisë së rivarrimit në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut “Nëna Shqipëri”, të Dëshmorit të Atdheut Novruz Cenalia.
Të nderuar familjarë të Dëshmorit të Atdheut Novruz Cenalia,
I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, z. Lamallari,
Të nderuar kolegë, drejtues dhe qytetarë,
Dhimbja, heshtja dhe reflektimi sot peshojnë më rëndë se çdo fjalë në këtë ceremoni, sepse përballë sakrificës së një njeriu që ra në krye të detyrës, çdo fjali duket e pamjaftueshme.
Jemi këtu përballë dhimbjes së pamasë të një familjeje, krenarisë së palëkundur të uniformës së Policisë së Shtetit dhe detyrimit moral e institucional të shtetit ndaj një efektivi që dha jetën në mbrojtje të ligjit, të rendit dhe të sigurisë së qytetarëve tanë.
Mbi këtë kodër, ku prehet nderi dhe sakrifica e kombit, ne nuk po kryejmë thjesht një procedurë shtetërore apo një protokoll zyrtar. Ky moment është më shumë se një ceremoni, është një betim, një kujtesë e gjallë, një plagë që nuk shërohet dhe një nder që nuk do të shuhet kurrë.
Sot sollëm në shtëpinë e përjetësisë një djalë, një koleg, një shërbëtor model të ligjit. Novruz Cenalia nuk është më vetëm emri i një inspektori të Policisë së Shtetit, por nga sot, ai rreshtohet në Panteonin e “Nënës Shqipëri”, përbri atyre burrave dhe grave që integritetin dhe detyrën e tyre ndaj atdheut i vulosën me aktin më sublim.
Novruzi ra në krye të detyrës jo se ishte i pambrojtur, por se zgjodhi të ishte barriera mes qytetarëve dhe krimit dhe për këtë integritet të lartë dhe besnikëri ndaj betimit, ai sot do prehet përjetësisht mes Dëshmorëve të Atdheut.
Një familje e nderuar humbi një bir të shtrenjtë, Policia e Shtetit humbi një koleg të shkëlqyer dhe Republika humbi një mbrojtës besnik të saj.
Ndaj sot, me përgjegjësinë e lartë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kam detyrimin moral dhe institucional t’i drejtohem: “Novruz, misioni yt nuk u ndërpre, ai u bë i përjetshëm!”
Sakrifica jote sublime është sot motivi më i fortë, por edhe një udhërrëfyes i qartë morali për çdo punonjës policie që vesh këtë uniformë.
Në të njëjtën kohë, ky moment është një thirrje zgjimi për mbarë shoqërinë shqiptare, për të kuptuar dhe respektuar sakrificën e përditshme të mijëra djemve e vajzave, grave e burrave të Policisë së Shtetit, të cilët çdo sekondë vendosin jetën e tyre në altarin e sigurisë publike.
Ka sakrifica që historia i shkruan me bojë, por ka edhe nga ato që shkruhen me gjak dhe mbeten të pashlyeshme në kujtesën e një kombi dhe sakrifica e jote është pikërisht e tillë.
Novruz, sot ti po bashkohesh me shokët e tu Dëshmorë, me ata që idealin dhe profesionin e kthyen në mision dhe jetën në simbol shërbimi e dinjiteti. Trupi yt do të prehet në këtë tokë të shenjtë, por emri yt do të marshojë me ne në çdo patrullë, në çdo operacion dhe në çdo përballje të Policisë së Shtetit me paligjshmërinë.
Të dashur familjarë të Novruzit!
Ju humbët një djalë të mrekullueshëm, por sot e tutje, në figurën e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit do të gjeni një pjesë të shpirtit të Novruzit.
Dhimbja dhe Krenaria juaj është absolutisht dhimbja dhe krenaria jonë. Por sot, krenaria për veprën e tij duhet të jetë më e madhe se loti, sepse emri i tij tashmë është shkruar me shkronja ari në memorien historike të këtij institucioni dhe të këtij vendi.
Nga ky vend solemn, ku nderohen heronjtë, sot do t’i përcjell një mesazh të qartë, të prerë dhe të patundur kujtdo që guxon të ngrejë dorën mbi uniformën e Policisë së Shtetit:
Kush prek një punonjës policie, ka goditur vetë themelet e shtetit. Kush sulmon këtë uniformë, ka sulmuar rendin, sigurinë, ligjin dhe bashkëjetesën qytetare në Republikën e Shqipërisë.
Krimi mund të na shkaktojë dhimbje dhe mund të na marrë jetë, por kurrë, asnjëherë nuk do të arrijë të na gjunjëzojë, të na zmbrapsë apo të zbehë forcën e reagimit tonë.
Çdo dorë që ngrihet mbi uniformën e Policisë do ndeshë forcën e pamëshirshme të ligjit dhe harresën e turpshme të historisë.
I dashur Asllan, babi i Dëshmorit dhe njëherazi kolegu ynë i nderuar. E di që rrugëtimi për ty nën uniformën e Policisë së Shtetit është i vështirë e me dhimbje, por ti ke një motiv shumë më të madh se dhimbja, ke emrin dhe aktin sublim të Novruzit i cili do të mbetet përjetësisht i ndritur.
Sepse ka njerëz që jetojnë gjatë por harrohen shpejt, por ka dhe si Novruzi ynë, që u largua herët, por do mbeten përgjithmonë në piedestalin e kombit.
U prehsh në paqe, vëlla e koleg i shtrenjtë!
I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorit të Atdheut, Novruz Cenalia!










