Nga Frrok Çupi

Ka një histori atje dhe kjo që po ndodh në Tiranë.

Ngjarja e treguar nis nga Teherani. Janar i vitit 1979. Bie Shah Pehlavi. Ngrihet sistemi i Ajetollah, me Ruhollah Khomeini. Nis regjimi i dhunës, i përgjimit, i frikës. Gazetarë perëndimorë që gjuanin për lajme kishin mbetur ‘pa asgjë’. Vjen mesnata në një qoshe lagjeje. Dikush lëshonte zë; ishte gjë e rrallë të fliste dikush. Ulur në një cep banese përsëriste pa pushim:

‘Çfarë prisja e çfarë më erdhi!?’.

Dukej si herezi, veçanërisht në atë moment censure. Askush nga policia e dhunës nuk mund të vepronte, për shkak të gazetarëve.

-Çfarë prisje?, e pyeti një gazetar.

Çfarë të erdhi?!, e pyeste tjetri.

Bënte ftohtë, mesnatë, dimër në Iran. Më në fund ai foli:

-Prisja të më vdiste nëna dhe babai të martohej. Qari edhe për mua! Por jo…

-Po pastaj? Çfarë ndodhi?, pyetën nxitimthi.

-Më vdiq babai dhe nëna u martua. Merreni me mend ç’më gjeti…, tha dhe nuk foli më

Ja kështu me historitë nga Irani. Historitë e Iranit janë ngatërruar rrezikshëm në jetën tonë dhe tani po duken edhe në Bulevardin e Tiranës. Tjetër gjë pritej. Pritej lëvizja qytetare, lëvizja pro- atdheut, pro- Aleancave të Perëndimit, pro arsimimit dhe kulturimit…

Fillimisht ndodhi mbarimi. Për dy ditë u kuptua se këta që dolën në ‘protestë’ dolën kundër zhvillimit tonë. Pastaj dolën për t’i thënë botës se ‘shqiptarët nuk janë me Perëndimin’. ‘US go home!’. Pastaj dolën për ta kthyer kohën aty ku ishte në kohën kur ishim shumë shumë keq.

Që ditën e parë, populli i Shqipërisë, këto i bëri Zero. Investimet do të kryhen pa dyshim. BE po e pret Shqipërinë shpejt. SHBA nuk ikën, veçse më e pranishme. Ra ‘kauza’ e ‘teheranit’. Askush nuk kupton pse ata theken në diellin e orës gjashtë p.m.

Çfarë premtuan? Duket se premtuan më pak se babai i lypsarit të Teheranit në rrëzë të banesës. Edhe këta- banalitet, seksizëm dhe krim premtojnë. Popullit i premtuan tre shkronja: ‘TQR’. Ia drejtuan kryeministrit, por populli nuk ka nevojë për këtë.

Këta herë shfaqen si grupe huligane, herë si seksistë, herë si majtistë ekstremë, herë si rrugaçë thuajse ekstremë. Gjithçka gjen në atë mishmash Bulevardi. Që nga jakobinët e vonuar ( kërkojnë vdekje, vdekje, vdekje), deri te hipitë, pelegrinë urjahipë, mashtrues race. Vajza që manifestohen të vetë ndjera me diploma nga jashtë deri meshkuj të parealizuar që thërrasin në ndihmë mjekrat.

Mbi të gjitha ‘The West, go home!’. Vijnë nga anë e anës dhe tentojnë të mbajnë në kurriz Rruzullin. Shqipërinë duan ta vendosin aty ku duan këta. Por jo në Perëndim. Sa shumë ka ndodhur, edhe me haxhiqamilistët, që e kanë urryer Perëndimin për vdekje, por jo kaq. Këta kanë arrogancën që i vijnë njeriut që jeton këtu dhe i thonë ‘ti nuk di, e dimë ne çfarë do të jesh ti’. S’kisha parë në Tiranë kaq shumë gra me burka. As meshkuj me mjekra ajetollahësh. Antisemitistë të prishur. Edhe vetëm një murgeshë katolikë që u shfaq, as ajo s’e zuri në gojë emrin Romë, as Itali, as Vatikan.

Thërritën për liri, por u shfaqën si frikë dhe njerëz të palirë. Shfaqen haptazi tentativën për vrasje ndaj kryeministrit. Pastaj pozitën e prokurorit para kryeministrit dhe ish kryeministrit. ‘Burg!, burg!, burg!’.

Rrëmbyen fëmijët me vete, si dikur shqiptarët në gjak me njëri tjetrin në Europë, që kapnin dy gra dhe hynin në mes për tu mbrojtur sipas kanunit. Këta janë përdorues fëmijësh. Herë- herë edhe i humbin fëmijët, por ‘le të rrojë revolucioni’. Fëmijët dëgjojnë fjalor rruge, fjalor ‘gjaku’, ‘thike’, ‘mjerë ti’, ‘ta bëfsha!’, ‘TQR’, dhe pastaj vishen me edukatën e prindërve ose huamarrësve sa për në bulevard. Të pa lirë para perversitetit. Kanë bërë thirrje për shitje femrash. Në ballë të turmës qëndronte parulla: ‘Shite Zeqinenë dhe blej…’. Zeqineja është deputete në Kuvendin e Shqipërisë.

Jo në mes të janarit iranian, por në mes të verës tiranase, këta kërkojnë kurban. Kurbani për ta është jeta e vendit, arritjet e vetme historike kaq të mëdha në jetën e vendit. Këta duan të bëjnë kurban jetën e njeriut që jeton këtu. Me arrogancën më prej djalli që ka njohur historia. Ta bëjnë përshesh!, kaq është. Pas ‘përsheshit’ nuk gjen më asnjë prej këtyre këtej rrotull.

Këta janë zogj të frymëzuar nga ligësia që u kanoset popujve. Nuk janë të parët në Tiranë. Modeli i tyre, Antifa, ka bezdisur vende më të zhvilluara.

Në Teheran, ku ndodhi ngjarja e janarit, ka bërë vragë kjo e keqe.