Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u shpreh sot se me shpalljen e Dhërmiut qendër historike nga Këshilli i Ministrave, sipas kuadrit të përditësuar për mbrojtjen dhe administrimin e Qendrës Historike, forcohet mbrojtja e vlerave të tij historike dhe kulturore.

“Me statusin Qendër Historike që prej vitit 2016, Dhërmiu vijon të ruajë identitetin e tij unik përmes një kuadri të përditësuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Akti i miratuar nuk ndryshon kufijtë e Qendrës Historike apo të zonës mbrojtëse, por përditëson rregullat dhe procedurat për administrimin dhe konservimin e saj, duke siguruar që zhvillimi i zonës të ecë në harmoni me ruajtjen e arkitekturës tradicionale, peizazhit dhe trashëgimisë kulturore, elemente këto që e bëjnë Dhërmiun një nga destinacionet më të veçanta të vendit”, tha Gonxhja.

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për deklarimin pasuri kulturore të paluajtshme të qendrës historike të fshatit Dhërmi.

Sipas vendimit, qendra historike e fshatit Dhërmi shpallet pasuri kulturore e paluajtshme, ndërsa zona e saj mbrojtëse përcaktohet në bazë të hartave të zonifikimit dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), të cilat janë pjesë përbërëse e aktit.

Në vendim thuhet se Këshilli i Ministrave miratoi planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e qendrës historike dhe zonës përreth, me qëllim garantimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të qëndrueshëm të zonës.

Sipas vendimit, ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për publikimin e hartave në Gjeoportalin Kombëtar, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e vendimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.