Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ndau sot fotoalbumin nga takimi në Dibër me homologun e Maqedonisë së Veriut, Panče Toškovski, ku u nënshkrua marrëveshja për zbatimin e sistemit të kontrollit kufitar me një ndalesë, me synim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, bizneseve dhe turistëve mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se Rruga e Arbrit, të cilën e cilësoi një investim me vlerë kombëtare të qeverisë shqiptare, ka nisur të japë efektet e saj, jo vetëm për Dibrën, por edhe për të gjithë udhëtarët që kalojnë përmes Pikës Kufitare të Bllatës.

Sipas tij, në këtë pikë kufitare kalojnë mesatarisht rreth 4 600 qytetarë në ditë, ndërsa vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar rreth 700 mijë qytetarë dhe afro 300 mijë automjete.

Lamallari theksoi se zbatimi i sistemit me një ndalesë në të katër pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të reduktojë ndjeshëm kohën e pritjes dhe do ta bëjë më efikase lëvizjen ndërkufitare.

“Kur një kamion kalon më shpejt kufirin, fiton ekonomia. Kur një turist pret më pak në kufi, fiton turizmi. Kur një familje kalon më lehtë për të takuar të afërmit, fitojnë njerëzit. Dhe kur dy shtete punojnë si një ekip në kufi, fiton siguria e të gjithëve dhe e ardhmja jonë evropiane”, u shpreh ministri Lamallari.