Nga Marenglen Kasmi
Në ditën e dymbëdhjetë të protestës vendosa të shihja nga afër protestuesit që po parakalonin pranë banesës time. Mjaftuan pak minuta për të kuptuar se turma përbëhej nga një përzierje e pazakontë njerëzish, idesh dhe kërkesash. “E çfarë nuk ka këtu, turlilloj”, më tha duke qeshur një fis i gruas, e cila gjendej mes protestuesve.
Shfaqja që ofrohej ishte mbresëlënëse. Një grup protestuesish thërriste “Rama jep dorëheqjen”. Pak më tutje e kishin kapur keq me drejtuesin e opozitës. Valëviteshin flamuj kombëtarë dhe kur turma kaloi pranë bustit të Adem Jasharit, ushtuan thirrjet “Shqipëri etnike” dhe “Rroftë UÇK-ja”. Shumica e tyre ishin të rinj. Kishte edhe një numër të konsiderueshëm të miturish. Po ashtu, nuk mungonin edhe familjarë që shtynin karrocën e fëmijëve. Kishte edhe njerëz që të krijonin përshtypjen se ndodheshin aty më shumë për atmosferën sesa për ndonjë kauzë të caktuar.
Mendoj se këtu qëndron problemi.
Sa më shumë e vëzhgon protestën, aq më e vështirë bëhet të kuptosh se çfarë kërkon ajo në të vërtetë. Nëse pyet dhjetë protestues, ka shumë gjasa të marrësh dhjetë përgjigje të ndryshme. Dikush do të flasë për korrupsionin. Dikush për varfërinë. Një tjetër për çështjen kombëtare. Dikush për emigracionin. Dikush tjetër për një padrejtësi personale që ndoshta nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me qeverinë. Aty nga fundi i kolonës së gjatë dëgjoheshin edhe thirrje për revolucion. E kur thirret për revolucion, nuk mund të mungonte edhe portreti i njohur i Che Guevara-s, i cili më galopoi para syve përgjatë rrugës së Durrësit. Më zuri syri edhe diçka që të trondiste. Një i ri mbante lart një pankartë me foton e Hitlerit. Poshtë fotos ishte shkruar një mesazh vulgar ndaj izraelitëve. Një pamje e turpshme dhe e papranueshme, e cila tregonte se në këtë protestë po gjejnë vend edhe qëndrime që nuk kanë asnjë lidhje me pretendimet e saj të deklaruara.
Më tërhoqi vëmendjen edhe një detaj tjetër, kalimtarët. Shumë prej tyre ndaleshin për pak minuta, filmonin me telefon, komentonin mes tyre, buzëqeshnin dhe vazhdonin rrugën. Nuk dukej sikur po përballeshin me një moment tensioni politik apo me një përplasje që mund të sillte pasoja konkrete. Përkundrazi, të krijohej përshtypja se po ndiqnin një shfaqje publike, një ngjarje që duhej parë, regjistruar dhe komentuar.
Ndoshta kjo është arsyeja pse protesta të jep gjithnjë e më shumë ndjesinë e një aktiviteti që ushqehet nga vetvetja. Njerëzit mblidhen sepse ka protestë, ndërsa protesta vazhdon sepse njerëzit mblidhen. Nata e dymbëdhjetë konfirmoi të njëjtin ritual: të njëjtat thirrje dhe të njëjtën paqartësi mbi atë që pritet të ndodhë më tej.
Ende nuk kuptohet se cili është synimi konkret i protestës. Mosndërtimi i resortit në Zvërnec? Rrëzimi i qeverisë? Zgjedhje të parakohshme? Reforma? Ndryshime ligjore? Revolucion? Të gjitha këto dëgjohen në protestë. Problemi është se ato shfaqen si slogane të shpërndara, jo si pjesë e një platforme të përbashkët politike.
Historia njeh shumë protesta spontane që kanë arritur të prodhojnë ndryshime politike. Por, ato kanë filluar të japin rezultat vetëm kur janë organizuar, strukturuar, kanë pasur drejtues e drejtim të dallueshëm dhe sigurisht një paketë kërkesash të qarta. Pakënaqësia sado e madhe të jetë, nëse nuk është e unifikuar, nuk mjafton.
Kjo është arsyeja pse, të paktën deri tani, protesta ngjan më shumë me një panair të pakënaqësive. Secili sjell aty arsyen e vet të zemërimit, zhgënjimit apo pakënaqësisë. Dikush e ekspozon arsyen e tij të protestës me një pankartë, dikush me një slogan, dikush me një flamur. Por mes gjithë kësaj larmie mungon substanca që i jep kuptim një lëvizjeje, qëllimi i përbashkët politik. Të thërrasësh me zë të lartë rrugëve të Tiranës “Rama jep dorëheqjen”, sado i madh të jetë grupi protestues, nuk mjafton.
Një tregues tjetër tejet domethënës është se protesta po prodhon gjithnjë e më shumë spektatorë. Njerëzit e ndjekin, e filmojnë, e komentojnë, madje edhe e shijojnë si pjesë të jetës së përditshme urbane. Ajo e tërheq padyshim vëmendjen e njerëzve, por a arrin t’i bindë ata? Pra, lëvizja krijon kuriozitet, por jo detyrimisht angazhimin e tyre. Madje, me kalimin e kohës, këto parakalime e bllokime rrugësh do të bëhen të bezdisshme për pjesën tjetër, pasi sado i bukur të jetë spektakli, nuk shikohet dot më shumë se një a dy herë.
Kësisoj, nëse një protestë fillon të perceptohet më shumë si show sesa si një mjet presioni politik, ajo e humbet funksionin e saj kryesor. Njerëzit do të vazhdojë të mblidhen edhe disa ditë. Bazuar në moshën e re të protestuesve, kreativitetit e përdorimit të rrjeteve sociale prej tyre, protesta do të vazhdojë të prodhojë pamje mbresëlënëse, të cilat do të përdoren nga secili grup interesi i përfshirë në protestë sipas synimeve që ata kanë.
Përvoja po tregon se turmat mblidhen lehtë. Vështirësia fillon kur duhet t’u japësh drejtim. Historia tregon se nuk mjafton të bashkosh njerëz të pakënaqur, por duhet të bashkosh qëllimet e tyre. Deri tani kjo është pika ku protesta duket se ngec. Prandaj, të paktën për momentin, ajo ngjan më shumë me një panair pakënaqësish sesa me një lëvizje që mund të imponojë një ndryshim konkret.










