Nga Mero Baze

Ëndrra e çdo revolucioni është Robespieri përmes idesë që kur revolucioni të fitojë, ai do t’u presë kokën gjithë armiqve të tij. Revolucioni “Flamingo” ka disa ndryshime. Por ndryshe nga Robespieri, i cili i formoi vetë Komitetet e Shpëtimit Publik dhe ekzekutimet masive me gijotinë, revolucionarët tanë duan që dëshirat e tyre t’i zbatojë SPAK. Pra këta janë dhe revolucionarë dembelë, pasi duan vetëm të hartojnë lista dhe pastaj SPAK t’i ekzekutojë.

Një nga organizatorët e protestës iu kërkoi dje Prokurorisë Speciale të arrestojë politikanët e korruptuar që listohen përditë në tribunë, ndryshe ata do të rrethojnë SPAK dhe nuk i lënë të dalin andej pa firmosur urdhrat. Thirrja, edhe pse nuk duhet marrë seriozisht, pasi reflekton në një farë mënyre dhe mendtë e atij që e tha, tregon se çfarë fshihet pas maskës së një proteste qytetare.

Në të vërtetë SPAK është i vetmi institucion i drejtësisë që i ka dhënë një kauzë “revolucionit” me ndërhyrjen në hetimin e pronarëve të tokës në Zvërnec, bllokimin e saj dhe çuarjen në gjyq të disa prej tyre për pastrim parash dhe trafik droge.

Pra, nëse ka një institucion që e ka bërë “serioz” revolucionin, është SPAK, pasi ka ilustruar jo vetëm dëshirat e tyre, por dhe objektivin për të cilin nisi protesta.

Bllokimi i llogarisë së shitësit të tokës dhe ngrirja e 10 milionë eurove në llogarinë e noterit janë maksimumi që mund të bësh në këtë histori për të ndarë historinë e tokës nga historia e investimit.

Por problemi është se këta që shfaqen në tribunë kanë harruar që revolucioni nisi për Zvërnecin. Me atë që bëri SPAK, gjithë shqetësimi i adresuar nga pronarët e tokës për Zvërnecin merr fund dhe e vetmja parrullë që duhet të kishte për SPAK në protestë duhet të ishte “Faleminderit SPAK”.

Por tani askush nuk e mban mend përse ka nisur. Tani frymëzimi që ka ngjallur revolucioni është vetëgjyqësia në çdo cep të Shqipërisë, ku shikojnë ndonjë investitor që ka rrethuar kantierin, që ndërton hidrocentral, park fotovoltaik, hotele apo pallate. Secili që nuk i pëlqen ata është i lirë të vijë në protestë, ta deklarojë sulmin dhe të niset me një grup organizatorësh me vete për të shpërndarë gjeografinë e revolucionit në gjithë vendin.

Për këtë arsye protestuesit duan që SPAK të jetë nën urdhrat e protestës dhe të ekzekutojë urdhër-arreste që formulohen në tribunë, nëse këta pengohen në qëllimet e tyre.

Po të ishte një protestë normale dhe qytetare, në fakt ajo do të ishte një protestë nën ndikimin e SPAK, pasi e vërteta është që vetëm SPAK u ka dhënë shans dhe fakte të protestojnë. Dhe në të ardhmen vetëm ai mund t’u japë arsye të ndjehen ndëshkues të pushtetit.

Por me sa duket ata e duan që tani organ të revolucionit. Kjo edhe për shkak se revolucioni po kalon pak nga pak nga Flamingot te Foltorja, jo vetëm nga cilësia e atyre që flasin në tribunë, por dhe nga mentaliteti. Kështu që i vetmi shpëtim është të kërcënohet SPAK dhe të vendoset nën urdhrat e revolucionit. Pastaj kur revolucioni të jetë i gjithi nën urdhrat e Berishës, e dimë si përfundon. Si marshimi dje drejt aeroportit në kërkim të një dëshmori të revolucionit që të justifikojë dhunën. Atij vetëm një arkivol i duhet dhe mbaron punë shpejt me këto flamingot e bulevardit.