Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka komentuar këtë të enjte në emisionin Quo Vadis në Vizion Plus protestën kundër projektit në Zvërnec, një nga çështjet më të diskutuara të ditëve të fundit.
Si deputet i qarkut të Vlorës, Vengu u ndal te debati që ka shoqëruar projektin, duke theksuar se sipas tij bëhet fjalë për më shumë sesa një investim apo një resort turistik.
“Çështja e vërtetë është një protestë e denjë, që e ndjejnë dhe e pranojnë të gjithë. Nuk do të thotë që detyrimisht çdo mesazh që i përcillet protestës është edhe ai i denjë dhe duhet të kemi një aftësi për ta parë me vëmendje. Unë po kthehem pak në kohë. Unë jam edhe deputeti i zonës së Vlorës, do flas pak për protestën që ndodhi në Zvërnec. Ata reaguan me shumë të drejtë ndaj një feudalizmi moral të pashpjegueshëm”, tha Vengu.
Më tej, ai e cilësoi debatin si pjesë të një realiteti të ri në vend, ku përballen nevoja për zhvillim dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Dikur do ta quanim evropiane, unë do të thoja një normalitet i ri në vend. Debati është si zhvillohemi, si mbrojmë trashëgiminë kulturore apo si zhvillohemi. Është normale që ky normalitet i ri tregon edhe një farë shëndoshjeje të demokracisë”, u shpreh deputeti socialist.
Sipas Vengut, diskutimet që po zhvillohen rreth projektit në Zvërnec pasqyrojnë një debat më të gjerë mbi mënyrën e zhvillimit të vendit dhe balancën mes investimeve dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore e natyrore.










