Milan Radoiçiç nuk po ndiqet penalisht për ndonjë krim nga autoritetet në Serbi.

Ky është qëndrimi i Aleksandër Vuçiç lidhur me personin përgjegjës për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në 2023-shin.

Ndërsa pyetur nëse Radoiçiqi po ruhet nga pjestarë të xhandarmërisë serbe, pavarësisht deklaratës së tij të fundit se pjesëtarët e Policisë së Serbisë nuk duhet të ruajnë persona privatë, tha se ai nuk ka të dhëna të tilla.

“S’keni thënë pse Millan Radoiçiq është në njoftim të kuq. Nuk është për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës. Nuk kam të dhëna për ruajtjen e tij. Dikush mund të jetë duke bërë dhe një punë të dytë. Kjo nuk tregon gjë.”

Për Radoiçiç është lëshuar edhe një fletarresti ndërkombëtar nga Interpol-i, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ndërsa Brukseli ka shprehur pritshmërinë që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe të ndjekin penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë.

Radoiçiq në Serbi është i lirë dhe ka vendbanim të regjistruar në Beograd.