Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijoi këtë të hënë gjykimi i dosjes “Partizani”, ku dëshmoi ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.
I pyetur nga prokuroria për ndryshimet e ndërmarra në ligjin për sportin gjatë kohës që drejtonte dikasterin, Pango tha se nuk i kujtohen në detaje rrethanat e asaj periudhe, duke argumentuar se çështjet e objekteve sportive nuk kanë qenë ndër prioritetet kryesore të institucionit.
Gjatë dëshmisë së tij, ish-ministri u shpreh se ka mbështetur privatizimin, por ka qenë kundër ndryshimit të destinacionit të objekteve sportive. Sipas tij, edhe në rastet e dhënies me koncesion apo përfshirjes së sektorit privat, duhej të ruhej funksioni fillestar i këtyre objekteve.
Prokuroria e pyeti Pangon lidhur me një shkresë të majit 2007, përmes së cilës ishte propozuar ndryshimi i ligjit për sportin për të lejuar dhënien me koncesion të objekteve sportive pa ndryshuar destinacionin e tyre. Në përgjigje, ai deklaroi se nuk e kujtonte arsyetimin konkret të asaj nisme, por shtoi se praktika e koncesioneve për objekte sportive zbatohet gjerësisht edhe në vende të tjera.
Në lidhje me kërkesat për privatizim të paraqitura nga familja Begeja dhe familje të tjera, Pango deklaroi se nuk i kujtohen vendimet konkrete, por theksoi se ka qenë në favor të respektimit të të drejtave të pronarëve. Ai shtoi se pëlqimi i tij institucional nuk kishte efekt vendimmarrës dhe se nuk mund të pengonte proceset e privatizimit.
Në një moment të dëshmisë, Pango tha se kishte dhënë pëlqim për një procedurë privatizimi pasi, sipas tij, kjo i ishte kërkuar nga ish-ministri Genc Ruli.
I pyetur për amendamentet e vitit 2008 në ligjin për sportin, të cilat përfshinë edhe mundësinë e privatizimit, ish-ministri deklaroi se nuk e konsideron nismë personale. Sipas tij, ndryshimet mund të kenë qenë pjesë e një politike më të gjerë qeveritare në kuadër të privatizimeve të asaj periudhe.
Pango tha gjithashtu se nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë ku janë diskutuar këto ndryshime dhe se nuk i kujtohen arsyet që lidhen me kërkesat për reduktimin e fondeve të investimeve në sport.
Gjatë pyetjeve të avokates Klodiana Gjyzari, ai u ndal te parimi i ruajtjes së destinacionit të objekteve sportive. Pango deklaroi se ka mbështetur vazhdimisht këtë parim, duke argumentuar se përfshirja e sektorit privat mund të ndihmojë zhvillimin e objekteve, por pa cenuar funksionin e tyre sportiv.
Në seancën e së hënës dëshmuan gjithashtu Tetis Lubonja dhe Altin Ceni, ndërsa dëshmitari Paro Laçi nuk ishte i pranishëm.










