BBC i ka kushtuar një artikull protestave në kryeqytet, ndërsa në lidhje me këtë ka marrë edhe një prononcim nga kryeministri Edi Rama.

Media britanike thekson se protesta e cila nisi për natyrën, përfundoi në shprehjen e pakënaqësive të akumuluara për sistemin arsimor, shëndetësore, pagat dhe koston e jetesës.

Prej 34 ditësh qytetarët shqiptarë po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama nga qeveria, ndërsa një nga kërkesat e tyre është edhe krijimi i një qeverie teknike. BBC shkruan se Rama i karakterizon protestat si një shenjë të një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike.

“E kam thënë që nga dita e parë: dua një drejtësi që nuk duket majtas, nuk duket djathtas, por duket drejt. Një drejtësi që nuk mund të blihet, nuk mund të ushtrohet presion dhe nuk mund të kontrollohet nga distanca”, deklaroi Rama.

Ai shtoi gjithashtu se reforma në drejtësi është një nga kontributet më të rëndësishme të Partisë Socialiste për vendin.

“Ky është kontributi më i madh që Partia Socialiste do t’i japë këtij vendi, sepse nuk do të kontribuojë vetëm duke bërë reforma, por duke i dhënë lëkurën e vet vendit”, u shpreh Kryeministri.