Në pallatin e Brigadave po mbahet mbledhja e grupit të PS dhe qeverisë. Kryesocialisti Edi Rama po mban fjalën e tij.
“Kam sjellë sot me vete dhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, ndryshuar që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre. I pari është dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje. I dyti është një aneks sesi PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt”, tha Rama.
Dokumentin e prezantoi me emrin “Besa” pasi tha se asnjë fjalë s’e përshkruan më mirë se vendimet e qeverisë s’do të përjetohen më nga qytetarët si prerje në besë.
“E kam titulluar me emër të vjetër dhe shumë të madh: Besa. E di që do të hapë debat, por e zgjodha edhe pse do të hapë debat. Nuk gjeta asnjë fjalë që ta thotë më qartë që vendimet të mos përjetohen më si prerje në besë, të mos ndihen si të padëgjuar e të painformuar, të papërfillur!”, tha Rama.
Ndërkohë për protestuesit që kanë votuar këtë qeveri, tha se janë matësi i ri i standardeve.
“Ju nuk jeni mosmirënjohës, por matës i ri i standardeve tona. Ata që votuan për ne në qershor, dolën dhe u bashkuan me të tjerët edhe kur protesta drejtohej kundër meje sepse forca e saj përthithëse ishte më imponuese për ta sesa figura ime”, tha Rama.
Mësimi i parë që kryeministri Edi Rama ka nxjerrë nga protestat përpara kryeministrisë është që njerëzit nuk jetojnë më me çfarë kanë ndodhur, por me pritshmëri.
“Bulevardi i flamingove duhet parë jo si protestë, por pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë seriozisht nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërië e kësaj faze të re që në radhë të parë dhe me doemos duhet ta kuptojmë ne të parët. Unë pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është epoka e mungesave. Epoka e hapur është epoka e pritshmërive ku rruga e re është standard, jo fitore”, tha Rama.









