Avokati mbrojtës, Plarent Ndreca e ka quajtur antikushtetues vendimin për pezullimin e afateve të paraburgimit për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Pas seancës së sotme në GJKKO, Ndreca tha se praktika do të ndiqet në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese, të cilat duhet të japin vlerësimin e tyre bazuar në Kushtetutë.
“Kemi ankimuar të gjitha vendimet që ka marrë gjykata për pezullimin e afateve të paraburgimit. Sigurisht, është një procedurë krejtësisht antikushtetuese. Një ndër kërkesat tashmë e kemi në Gjykatë të Lartë. Besoj se Gjykata e Lartë duhet të vlerësojë bazuar në Kushtetutë pasojat e këtyre lloj vendimesh, që tashmë janë krijuar si precedent. Në dijeninë time është edhe një gjyqtar i gykatës së Apelit të Posaçëm që e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese pikërisht këtë proces, këtë precedent, dhe ne do të vijojmë kërkesat tona deri kur në Gjykatën Kushtetuese të marrim atë që na takon, siç kemi bërë në vijim, dhe siç ka rezultuar që kemi pasur të drejtë sa herë ne kemi ngritur pretendime që kanë lidhje me respektimin e standardit kushtetues”, tha ai.










