Avokati i Popullit ka konfirmuar se nuk ka prova që mbështesin pretendimet për dhunë ndaj protestuesit Niko Qarkaj gjatë qëndrimit të tij në ambientet e Bllokut të Sigurisë, pas arrestimit.
Sipas verifikimeve të kryera nga institucioni, nuk rezulton që ndaj qytetarit të jetë ushtruar dhunë nga efektivët e Policisë së Shtetit, siç është pretenduar më herët nga avokati i tij mbrojtës. Në të njëjtën kohë, Avokati i Popullit thekson se i ndaluari nuk ka paraqitur vetë asnjë ankesë për trajtim të dhunshëm në asnjë fazë të procedurës.
“Konstatohet se nuk ka të dhëna që konfirmojnë ushtrim dhune ndaj tij në ambientet e Bllokut të Sigurisë. Gjithashtu, qytetari ka kaluar disa herë kriza shëndetësore, për shkak të sëmundjes nga e cila vuan.”
Institucioni thotë se hetimi është shtrirë në disa faza, duke nisur nga QSUT, më pas në Bllokun e Sigurisë dhe më tej në Spitalin e Traumës, ku qytetari është transferuar për shkak të gjendjes shëndetësore.
“Qytetari është intervistuar edhe më herët nga institucioni ynë dhe në deklarimet e tij me shkrim nuk ka ngritur asnjë pretendim për ushtrim dhune, as gjatë ndalimit, as gjatë shoqërimit, as gjatë qëndrimit në komisariat apo në Bllokun e Sigurisë.”
Ndërkohë, Avokati i Popullit thekson se verifikimet vijojnë dhe janë kërkuar pamjet e kamerave të sigurisë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e rastit.










