Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Shqipërisë ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e Maqedonisë së Veriut, e cila parashikon ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe unifikimin e veprimtarive të kontrollit mes dy vendeve.

Nisma, e cila vjen pas propozimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, synon të vendosë një kuadër të ri për menaxhimin e kufirit shtetëror dypalësh.

Vendimi qeveritar i hap rrugë procedurës parlamentare, ku marrëveshja do t’i nënshtrohet diskutimit dhe miratimit nga ligjvënësit.

V e n d i m

Për propozimin e projektligjit “për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 9, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.