Mbi 5,700 vdekje më shumë se niveli i pritshëm u regjistruan në Francë gjatë valës së të nxehtit të muajit qershor, duke shënuar bilancin më të rëndë që nga vala historike e vitit 2003.

Të dhënat paraprake janë publikuar nga autoriteti shëndetësor francez, Santé publique France.

Sipas raportit, nga 17 qershori deri më 2 korrik u regjistruan 5,764 vdekje shtesë, ndërsa pothuajse gjysma e tyre ndodhën vetëm gjatë periudhës 25–27 qershor. Autoritetet theksojnë se këto janë vdekje nga të gjitha shkaqet dhe se nuk mund t’i atribuohen ende drejtpërdrejt temperaturave të larta, megjithëse ndikimi i valës së të nxehtit konsiderohet i jashtëzakonshëm.

Vdekshmëria e tepërt është konstatuar në të gjitha grupmoshat mbi 15 vjeç, me ndikimin më të madh te personat mbi 45 vjeç. Nga 5,764 vdekjet shtesë, 3,719 i përkasin personave 75 vjeç e lart, duke konfirmuar se të moshuarit mbeten grupi më i rrezikuar. Ndërkohë, në grupmoshën 45–64 vjeç u regjistruan 979 vdekje shtesë, ose 55% më shumë se niveli i pritshëm.

Autoritetet bëjnë të ditur se 98.5% e popullsisë franceze u prek nga temperaturat ekstreme, ndërsa vala e të nxehtit përfshiu 92 rajone administrative. Situata më e rëndë u regjistrua në rajonin e Parisit (Île-de-France), ku u raportuan 1,999 vdekje shtesë, gati dyfishi i nivelit normal.

Shifrat paraprake kanë nxitur debat politik në Francë, me opozitën që akuzon qeverinë për mungesë përgatitjeje për përballimin e temperaturave ekstreme. Nga ana tjetër, autoritetet shëndetësore theksojnë se vala e të nxehtit e këtij viti ishte e pazakontë për shkak të fillimit të hershëm, kohëzgjatjes dhe shtrirjes së saj në pothuajse të gjithë territorin francez.

Ekspertët paralajmërojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave të larta rrit ndjeshëm rrezikun për grupet më të cenueshme, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.