Kryeministri hungarez Peter Magyar tha se një hetim është nisur për marrëdhëniet e ish-ministrit të Jashtëm Peter Szijjarto me Rusinë, por nuk pranoi të zbulonte detaje të mëtejshme, raportoi gazeta “Hungarian Conservative”.

“Ka dokumente të klasifikuara, ka dokumente të Ministrisë së Jashtme dhe lloje të tjera dokumentesh. Kur të ketë diçka për t’i thënë publikut, ne do ta bëjmë këtë”, tha Magyar në një konferencë të qeverisë të enjten.

Ai saktësoi se hetimi përfshin dokumente të klasifikuara të Ministrinë e Jashtme dhe dokumente të tjera zyrtare. Magyar tha se nuk dëshiron të “paragjykojë çështjen” dhe nuk dha informacione të mëtejshme rreth hetimit.

Sipas raportit, njoftimi pason raportet e mediave të publikuara në fillim të këtij viti që pretendonin se Szijjarto ndante informacione me zyrtarët rusë gjatë kohës së tij si ministër i Jashtëm.

Raporti thekson se Szijjarto më parë hodhi poshtë pjesë të atyre raporteve si “lajme të rreme” dhe tha se mbajtja e kontakteve me homologët rusë, amerikanë, turq dhe izraelitë ishte pjesë e praktikës normale diplomatike.

Hetimi u njoftua dy ditë pasi Szijjarto tha se po largohej nga parlamenti për t’iu bashkuar prodhuesit kinez të automjeteve elektrike BYD në një rol ekzekutiv ndërkombëtar.